Botë
Refugjatët, OKB: të shokuar nga dhuna policore hungareze
17.09.2015 12:44
OKB është tronditur nga veprimet e Policisë hungareze që përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të zmbrapsur emigrantët nga kufiri...

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, ka deklaruar se një trajtim i tillë i azilkërkuesve është i papranueshëm.
Qindra emigrantë u përfshinë një ditë më parë në përleshje të dhunshme në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, në përpjekje për të kaluar gardhin me tela me gjemba.
Nga ana e saj, pala hungareze i mbrojti veprimet, duke deklaruar se të paktën 20 oficerë policie kishin mbetur të plagosur teksa refugjatët përpiqeshin të kalonin barrierën. Madje, një zëdhënës i forcave të rendit tha se shumë prej tyre po përdornin fëmijët si mburojë.
Me mbylljen e kufirit hungarez, gjithnjë e më shumë refugjatë nga Siria e Iraku po marrin rrugën për në Kroaci. Shumica e tyre shmangin kalimin zyrtar, edhe pse ai është i hapur.
Ata preferojnë të ecin përgjatë një shtegu të pistë dhe të vështirë, që i çon drejt një fushe drithërash, e më pas në kufi, ku i presin uniformat blu.
Por, agjentët e policisë u flasin atyre anglisht, duke u thënë të mos kenë frikë. Aktivistët e OKB-së dhe Kryqit të Kuq ndodhen gjithashtu në terren për të siguruar refugjatët se ata vetëm sa po dërgohen në stacione autobusi, për t’u çuar më pas në Zagreb për të pushuar dhe për t’u regjistruar.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se shumë prej tyre po mbërrijnë në këtë vend tani që një tren i posaçëm u vu në funksion gjatë natës. Shumë prej tyre e shohin Kroacinë si vendin ideal për transit, por shumë barriera ndodhen përpara.
GYLTENE SINANI
