Botë

ShBA, orën e ngatërruan për bombë, arrestohet 14-vjeçari

17.09.2015 13:02

Një 14-vjeçar u arrestua në Teksas pasi kishte shkuar në shkollë me një orë të cilën e kishte ndërtuar vetë, por që dyshuan se mos ishte bombë...

Djaloshi mysliman deklaroi se e kishte sjellë në shkollë orën për t’ia treguar profesorit të inxhinierisë.
 
Ahmed Mohamed ia kishte treguar profesorit të tij orën, ndërsa ai e kishte përgëzuar, por edhe këshilluar që të mos ia tregonte ndonjë profesori tjetër.
 
Gjatë një ore tjetër leksioni, ora kishte lëshuar një tingull, gjë që e kishte frikësuar një profesor i cili edhe i kishte njoftuar autoritetet.
 
“Ajo dukej sikur një bombë”- u shpreh ai.
 
Familjarët e Ahmedit janë shprehur shumë të zemëruar, pasi thanë se djali i tyre është paragjykuar për shkak të origjinës dhe fesë të cilës i përket. Edhe Ahmedi u trondit tepër.
 
“Ata më arrestuan dhe më thanë se unë kisha kryer veprën penale të krijimit të një bombe të rreme”- u shpreh Ahmed Mohamed.
 
Arrestimi i Ahmed Mohamed, familja e të cilit është me origjinë nga Sudani, ka shkaktuar reagime të mëdha, duke bërë që edhe presidenti Obama ta ftojë në Shtëpinë e Bardhë.
 
“Orë e bukur, Ahmed. Dëshiron ta sjellësh në Shtëpinë e Bardhë? Ne duhet të frymëzojmë më shumë fëmijët si ti që të duan shkencën. Kjo është ajo çfarë e bën Amerikën të madhe”- shkroi Obama në rrjetin social Twitter.
 
Një ftesë për ta takuar e ka bërë edhe Marck Zuckerberg, i cili ka thënë se fëmijët si Ahmed duhet të përgëzohen, në vend se të arrestohen. Ai e ka ftuar atë në zyrat e Facebook dhe e ka inkurajuar që të vazhdojë të krijojë.
 
Në rrjetet sociale ka pasur shumë reagime, duke përfshirë edhe disa shkencëtarë të NASA-s. Menjëherë është krijuar edhe një hashtag “#IstandwithAhmed”.
 
Këshilli i Myslimanëve amerikanë ka thënë se do të bëjnë një hetim të këtij incidenti, ndërsa policia ka thënë se janë shumë të kujdesshëm për çdo informacion që ka të bëjë me ndonjë bombë.
 
AMIR DURAKU