Futboll

Barça “ngec” në “Olimpico”, 1-1 me Romën

17.09.2015 14:11

Misioni i mbrojtjes së kurorës europiane nisi me një barazim për Barcelonën që u ndal nga Roma 1-1 në “Olimpico”...

Kampionëve të Europës nuk u mungoi vena krijuese në përballjen e parë sezonale në Champions, por gjetën përballë një Romë luftarake që ia doli të dilte me pikë përballë kundërshtarëve kryesorë në Grupin E.
 
Katalanasit e Luis Enriques që pak vite më parë dështoi për të vënë në jetë idetë e tij te verdhekuqtë kaluan të parët në avantazh me Luis Suarez që shënoi me kokë në minutën e 21-të pas krosimit të Rakitic, aksion për të cilin Rudi Garcia protestoi për një kontakt të mëparshëm mes Mesit dhe Digne.
 
Gjithsesi Roma gjeti barazimin vetëm 10 minuta më vonë, falë një goli të pabesueshëm të Florenzit, që rikuperoi topin dhe shënoi nga një largësi prej plot 60 metrash duke befasuar Ter Stegen.
 
Treshëmbëshi i mrekullive të Barcës nuk arriti të gjente golin e avantazhit në pjesën e dytë me Lionel Messin që dhuroi nga magjia e tij në minutën e 78-të kur ishte vetëm traversa ajo që ndali argjentinasin dhe në fund përfundoi 1-1, me Bayer Leverkusen që merr kreun e Grupit E falë fitores 4-1 ndaj Bate Borisov, sukses që iu shtrua rruga nga goli i Admir Mehmedit.
 
Në Grupin F kryeson Bayerni i Mynihut që fitoi 3-0 në transfertën me Olympiacos në një ndeshje që i paraprinë trazirat mes tifozëve me grekët që sulmuan fansat gjermanë. Skuadrës së Guardiolës iu desh të priste golin e zhbllokimit që erdhi nga një goditje fantastike e Mueller në minutën e 52-të dhe më pas nuk e pati të vështirë të thellonte diferencën me Goetzen dhe Mueller që shënoi sërish nga pika e bardhë e 11-metërshit.
 
Skënderbeu nuk duhet të hidhërohet shumë nga eliminimi në Play-Off përballë Dinamos së Zagrebit, pasi kroatët demonstruan forcën e tyre duke surprizuar një fuqi të futbollit europian si Arsenali. “Topçinjtë” e Wenger u mundën 2-1 në Zagreb me Pivarico dhe Junior Fernandez që befasuan Arsenalin.
 
Fitore e thellë 4-0 e Chelseat ndaj Maccabit të Tel Avivit në Grupin G me Blutë e Mourinhos që marrin kryesimin pas barazimit 2-2 mes Dinamos së Kievit dhe Portos.
Në Grupin H kryeson Zeniti i Shën Pjetërburgut që fitoi 2-3 në transfertë ndaj Valencias, ndërsa Gent dhe Lion barazuan 1-1.