Futboll

Europa League, Josa: Presioni bie mbi turqit, Skënderbeu s’ka çfarë të humbasë

17.09.2015 14:19

Skënderbeu do të përballet sot me Beshiktashin në xhiron e parë të grupit H, me shpresën e madhe se do të regjistrojë një rezultat pozitiv...

Skënderbeu do të përballet sot me Beshiktashin në xhiron e parë të grupit H, me shpresën e madhe se do të regjistrojë një rezultat pozitiv që do të bënte të thyhej dhe më tej rekordi i një ekipi shqiptar të Superligës në kompeticionet e mëdha europiane.

Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, është shfaqur i qetë në prag të këtij takimi, duke thënë se presioni është në krahun e turqve dhe se ekipi i tij do të luajë krejt normalisht, pa pasur frikë dhe me besim të madh se do t’ia dalë të marrë rezultat pozitiv. Për Josën Skënderbeu ka avantazhe, pasi nuk ka çfarë të humbasë.  

Skënderbeu ka avantazhet e veta, pasi në 25 ndeshje në shtëpi ka pësuar vetëm njjë humbje, atë ndaj Dinamos së Zagrebit, një humbje e ardhur në kohën shtesë. Në ndeshjet në Europë, korçarët kanë shtatë takime, nga të cilat gjashtë i kanë fituar. Këto statistika janë domethënëse dhe i kishin evidentuar dhe edhe mediat sportive turke.

Për Josën presioni qëndron në krahun tjetër dhe skuadra e tij e ka të qartë tashmë objektivin.

“Nuk ka emocione te lojtarët, pasi e kemi arritur objektivin e vendosur dhe duhet të bëjmë më të mirën për më tej. Ne duhet të jemi të përqendruar në çdo ndeshje duke zhvilluar një lojë grupi dhe për një paraqitje sa më dinjitoze. Nesër do të do të përballemi me një ekip të organizuar dhe në gjykimin tim më të fortë se rivalët e deritanishëm në Europë”, u shpreh tekniku Mirel Josa.

Nga ana tjetër, rivali i tij turk i skuadrës së Beshiktashit, Senol Gynesh, ka deklaruar se sot do të jetë e vështirë përballë shqiptarëve dhe se Skënderbeu është një skuadër që ka bërë progres të madh vit pas viti dhe ka një grup që luan një lojë harmonike.

Megjithatë, tekniku turk u tha mediave në Stamboll se Beshiktashi do të shkojë në “Elbasan Arena” për fitore dhe ka besim se do ta realizojë objektivin.  

“Ne do të përballemi ndaj një ekipi që zhvillon një futboll agresiv në fushën e tij. Të gjithë duhet të tregohen të kujdesshëm dhe askush nuk e mendon se do të jetë e lehtë. Qëllimi është të shënojmë gol që në pjesën e parë dhe të tregohemi të vëmendshëm në mbrojtje” tha Gynesh.

Sot në “Elbasan Arena” pritet të ketë më shumë se 10 mijë spektatorë, nga të cilët afro 2 mijë mendohet të jenë turq. Gjysma e tyre do të vijnë nga Stambolli si tifozë të skuadrës, kurse pjesa tjetër do të jenë mbështetës të Beshiktashit që janë rezidentë në Shqipëri.

Pikërisht për këtë arsye në Elbasan pritet të ketë një sfidë të nxehtë edhe në shkallët e stadiumit, ku të dy tifozeritë do të inspirojnë idhujt e tyre për fitoren.