Maqedoni
Ekspertët: Maqedonia duhet t’i zgjidhë vetë problemet
17.09.2015 14:28
Mungesa e kulturës dhe dialogut politik si dhe ndërmjetësimi i komunitetit ndërkombëtar gjatë çdo krize politike janë çështjet më problematike me të cilat ballafaqohet Maqedonia...

Mungesa e kulturës dhe dialogut politik si dhe ndërmjetësimi i komunitetit ndërkombëtar gjatë çdo krize politike janë çështjet më problematike me të cilat ballafaqohet Maqedonia që nga pavarësimi i saj.
Ky është konstatimi i profesorëve dhe ekspertëve politik në debatin me temë “Kultura dhe mungesa e dialogut politik në RM”.
Sipas tyre, tejkalimi i krizave politike me ndërhyrje të ndërkombëtarëve nuk e zgjidhë problemin, por vetëm i delegjitimon partitë politike dhe institucionet e vendit.
“Ne jemi shumë larg nga dominimi i dialogut. Këtu tek ne partitë në vend, që ta ndihmojnë shtetin, ato e uzurpojnë dhe pastaj për krizat të cilat vetë i shkaktojnë, kërkojnë ndërmjetësimin ndërkombëtar. Ky është një fenomen i cili ndodhë vazhdimisht, por ata kështu vetëm delegjitimohen”- tha profesoresha universitare, Gordana Siljanovska- Davkova.
“Ne nuk jemi një vend unikat, por jemi një vend i çuditshëm. Gjatë kësaj periudhe ne kaluam në një krizë jo të vështirë, por të komplikuar në kërkim të zgjidhjes, vetëm sepse kemi rënie të vlerave, moralit, por edhe të besimit të qytetarëve ndaj institucioneve. Ne vetë kërkonim ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, sepse e dinim që gjatë gjithë krizës ka munguar kriza politike”- deklaroi analisti politik, Albert Musliu.
Gjatë debatit u publikua edhe analiza me temë “Dialogu politik”, e realizuar nga Fondacioni “Konrad Adenaur” dhe Instituti për Demokraci. Përfaqësuesi i Fondacionit, Marko Johanes, tha se si pasojë e mungesës së kulturës dhe dialogut politik, zgjidhjet e krizave politike në Maqedoni janë të përkohshme.
“Në Gjermani dialogu politik është diskutim pozitiv për të arritur kompromis pozitiv, ndërsa në Maqedoni është e kundërta. Te ju për habi termi kompromis politik shfrytëzohet për të arritur kompromis nga i cili palët janë të pakënaqura. Pse ju s’dini t’i zgjidhni problemet vetë, pse duhet gjithmonë dikush nga jashtë t’ua zgjidhë problemet”- theksoi Marko Johanes nga Fondacioni “Konrad Adenauer”.
Të gjithë pjesëmarrësit ishin të mendimit se Maqedonia duhet të bëjë zgjidhje afatgjate institucionale të problemeve, në mënyrë që ato të mos përsëriten, por kjo zgjidhje, sipas tyre, duhet të jetë e brendshme e të mos pritet gjithnjë ndihmë nga jashtë.
SANIJE KASAMI
