Maqedoni
ShGM për dhunën ndaj gazetarëve: shpresë tek prokurori special të zbardhë rastet
17.09.2015 15:13
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka alarmuar kohë më parë institucionet relevante ndërkombëtare për mungesën e lirisë së mediave dhe dhunën që ushtrohet ndaj gazetarëve...

ShGM ka kërkuar monitorim ndërkombëtar dhe zbardhjen e rasteve të dhunës.
“Në letër alarmuam këto organizata dhe shtete se dhuna kundër gazetarëve ka marrë përmasa dramatike dhe kërkuam të intervenojnë deri të autoritetet në Maqedoni për të garantuar siguri për gazetarët në ushtrimin e profesionit të tyre dhe të mos lejojnë që të rrezikohen jetët e tyre”- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
ShGM fton ministrin e Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, që seriozisht të angazhohet për ndriçimin e rasteve të dhunës kundër gazetarëve, në të kundërtën këtë do ta kërkojnë nga prokurorja speciale.
“Nëse zotri Çavkov e lëshon këtë rast, ne shpresojmë se ministri i ri i Punëve të Brendshme, që do të emërohet, do të angazhohet në mënyrë serioze për zbardhjen e këtyre rasteve. Nëse edhe ai nuk është në gjendje t’i zgjidhë këto raste, atëherë do të kërkojmë nga prokurori special të merret me këtë, sepse ju e dini që një numër i madh i gazetarëve kanë qenë të përgjuar dhe mendoj se do të gjejmë një lidhje mes përgjimit dhe dhunës së gazetarëve. Nëse edhe prokurori special nuk i zgjidhë këto raste, atëherë do të kërkojmë ndihmë ndërkombëtare”- tha kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Nga ShGM njoftojnë se kanë përkrahje të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Komisionit Evropian. Ndihmëssekretari shtetëror amerikan, Xhon Hefner, thotë se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës fuqishëm dënojnë çfarëdo qoftë dhune apo shqetësimi ndaj gazetarëve.
Dhuna dhe frikësimi ndaj gazetarëve të përshkruara në letrën e SHGM-së nuk kanë vend në një shoqëri moderne dhe demokratike”.
Kristian Danielson, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë për Zgjerim të Komisionit Evropian tha se “Është e nevojshme të sigurohet ambient i sigurt për gazetarët, që në mënyrë të pavarur të ushtrojnë profesionin e tyre pa ndërhyrje joligjore dhe pa qenë të frikësuar nga kërcënimet dhe cenzura”.
Me këto letra inkurajuese, nga ShGM shpresojnë se do të kenë sukses në përpjekjen për mbrojtjen e gazetarëve nga dhuna dhe sjellja e papërgjegjshme e institucioneve.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
