Maqedoni
Ivanov: pritjet nga Samiti i Varshavës, të respektohet aktvendimi i Gjykatës së Hagës
17.09.2015 15:37
Maqedonia i plotëson të gjitha kushtet dhe standardet për anëtarësim në NATO, vlerëson kryetari i Shtetit, Gjorge Ivanov...

Për të fajtore e mosanëtarësimit në Aleancë vazhdon të mbetet jo vetëm Greqia, por edhe vetë Aleanca Veriatlantike.
Ivanov kërkon nga vendet anëtare të Aleancës që në Samitin në Varshavë të konfirmojnë përkushtimin ndaj së drejtës ndërkombëtare, të respektojnë aktvendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, duke mbrojtur kështu interesin kolektiv të Aleancës dhe interesat e rajonit për siguri dhe stabilitet.
“Nëse deri më tani çështja për ftesën e Maqedonisë në NATO ka qenë çështje e pastër politike, tash është edhe çështje sigurie. Me secilën bllokadë të mëtutjeshme ndaj vendit tonë që meriton integrim në NATO, njëkohësisht bëhet bllokadë serioze ndaj interesave kolektive të themeleve të principeve të Aleancës. Vendimi është ende këtu dhe pret që të respektohet edhe nga Greqia dhe nga NATO”- deklaroi kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
Përfaqësues nga Pakti Veriatlantik thanë se Maqedonia ka hapëruar në plotësimin e kushteve për anëtarësim, por nevojitet akoma përkushtim.
“Dyert për në NATO vazhdojnë të qëndrojnë të hapura, megjithatë përpara na pret edhe shumë punë. Rrethanat ndoshta tani janë më komplekse dhe më sfiduese sesa ishin në vitin 2003”- tha komandanti i Komandës së Përbashkët në NATO, Mark Ferguson.
Në Konferencën e 19-të të shefave të shtatmadhërive të armatave nga vendet anëtare-Kartës së Adriatikut dhe ShBA-ve në Ohër, marrin pjesë përfaqësues nga Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia dhe Bosnjë Hercegovina, si dhe përfaqësues të ShBA-ve.
Në këtë takim në cilësinë e mysafirit është ftuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila përfaqësohet nga komandanti i saj, Rrahman Rama.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
