Maqedoni

Zaev: amnisti për askënd, as për mua nëse kam bërë krim

17.09.2015 16:25

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, vlerëson se prokurorja speciale e ka tani në dorë nëse do të publikojë bisedat e përgjuara që kanë të bëjnë me çështjet e ndjeshme siç është rasti “Mostra”...

Sipas tij, të gjitha materialet e përmendura në të ashtuquajturat “bomba” të opozitës tashmë janë në kompetenca të prokurores speciale, përfshirë këtu jo vetëm rastin “Monstra”, por edhe rastin e Kumanovës dhe aferat e tjera. 
 
“Nëse ka biseda për rastin “Monstra” dhe sikur e dimë të gjithë ka biseda të tilla nga përgjimet e paautorizuara, atëherë ky rast hyn nën kompetenca të prokurores speciale. Nëse ka biseda edhe për rastin “Magjar telekom”, atëherë edhe ajo do të jetë lëndë e prokurores speciale”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev. 
 
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, tha se të gjithë qytetarët para ligjit janë njësoj dhe duhet të përgjigjen për veprat e tyre pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për vetë Zaevin apo për kryeministrin Gruevski. 
 
“Unë jam i barabartë para ligjit si të gjithë qytetarët e tjerë. Nëse ka ndonjë dëshmi për vepër penale, nuk ka asnjë arsye përse të mos mbaj përgjegjësi. Ligji duhet të vlejë për të gjithë njësoj. Tema e amnistimit u përmend njëherë, por tani nuk është më në rend dite. Nëse dikush ka shkelur ligjin, pavarësisht a e ka emrin Gruevski, Zaev, Mijallkov ose kushdo tjetër, duhet të përgjigjet. Dëshmitë e reja që do t’i dorëzojmë në gjykatë janë indikacione të reja për raste të reja. Do të jetë edhe Zaevi dhe Gruevski, gjithkush që ka shkelur ligjin”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Zaev, ndërkohë, u ka apeluar grupeve punuese që të diskutojnë rreth kodit zgjedhor, listës zgjedhore dhe mediave për të gjetur zgjidhje të shpejta e të mos presin deri në fund sikur me përzgjedhjen e prokurores speciale.
 
REJHANE BUSHI-METAJ