Maqedoni
Neziri takon esnafin e Çarshisë, Neziri: ndryshimet ligjore në të mirë të zejtarëve
17.09.2015 16:53
Dhënia e licencave për secilin zejtar, me çka do të mbrohet produkti i tyre, regjistrimi elektronik i zejtarëve...

Dhënia e licencave për secilin zejtar, me çka do të mbrohet produkti i tyre, regjistrimi elektronik i zejtarëve, formimi i odave komunale të zejtarëve, e cila do të mundësojë qasje më të lehtë deri tek fondet ndërkombëtare, janë vetëm disa nga ndryshimet ligjore të Ligjit për zejtari.
Ministri i Ekonomisë u takua me zejtarët e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, të cilëve ua prezantoi ndryshimet e reja ligjore. Ai tha se me këto ndryshime do të luftohet ekonomia gri dhe konkurrenca jolojale.
“Në ndryshimet e reja, me iniciativë të kryetarit të Esnafit ishte edhe licenca për çdo zejtar. Me këtë licencë ne e mbrojmë produktin të cilit zejtarët e prodhojnë, e mbrojmë zanatin që zejtarët e punojnë. Gjithashtu me ndryshimet e reja mundësuam që të formohen oda të reja të zejtarëve në nivel komunal, gjë që është kërkuar nga esnafi i Çarshisë disa vite me radhë”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
“Kërkuam licencimin, me të cilin ne mendojmë se do të jetë garanci për shërbimet dhe prodhimet tona dhe kjo është realizuar. Do të jetë qasja në fondet ndërkombëtare më e shpejtë dhe më e mirë”- theksoi kryetari i Esnafit, Muhedin Brava.
Ministri Neziri gjithashtu vizitoi edhe Shoqatën e Tregtarëve. Ligji për “Tregjet e gjelbra” është në fazën finale dhe pritet të jetë gati deri në fund të muajit, theksoi ai me këtë rast.
“Diskutuam për ligjin i cili do t’i rregullojë të gjithë pazarxhinjtë, apo të gjitha tregjet në Maqedoni. Pothuajse të gjitha kërkesat të cilat kanë rrjedhë nga shoqata e tyre janë inkorporuar në ligjin i cili është në përgatitje”- u shpreh ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
“Ne si pazarxhi jemi shumë të bindur tani që këtë drejtim që e ka marrë ligji është shumë serioz dhe jemi të bindur që në një afat sa më të shkurtë do të gjendet zgjidhja, gjegjësisht do të bihet ligji për të cilin jemi duke u munduar shumë vite me radhë”- theksoi kryetari i Shoqatës së Tregtarëve “Prosperiteti”, Ekrem Dolek.
Zejtarët dhe tregtarët vlerësojnë se me këto ndryshime do të zhvillohet ekonomia rajonale dhe lokale.
ERSAN PAJAZITI
