Maqedoni

Hahn përshëndet zgjedhjen e prokurorit special: do të vazhdojmë t’ju mbajmë nën vëzhgim

17.09.2015 17:01

Eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, gjatë ditës së premte do të qëndrojë në Maqedoni, ku do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të politikës...

Eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, gjatë ditës së premte do të qëndrojë në Maqedoni, ku do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të politikës dhe do të marrë pjesë në rifillimin e raundit të ri të negociatave të dialogut qasës në nivel të lartë mes BE-së dhe Maqedonisë.
 
Para nisjes drejt Shkupit, eurokomisari ka vlerësuar dhe përshëndetur faktin që me lehtësimin e përfaqësuesve të BE-së dhe ShBA-ve partitë politike në Maqedoni arritën ta emërojnë prokurorin special dhe të miratojnë  ligjin për të njëjtin.
 
“Unë e vlerësoj dhe e përshëndes faktin që me lehtësimin tonë partitë politike në Maqedoni kanë arritur të emërojnë prokurorin special dhe sjelljen e ligjit për të, që është bërë në 5 të mëngjesit dhe të njëjtën ditë është miratuar legjislacioni i duhur.
 
Kjo është një hap i rëndësishëm dhe dëshmi se BE është afër zhvillimeve në Maqedoni dhe ne edhe në të ardhmen do t’i përcjellim hapat e ardhshëm.
 
Në çdo rast, emërimi i prokurorit është element i rëndësishëm për normalizimin e situatës politike në vend dhe është një e arritur e madhe. Unë jam i lumtur, por kjo nuk është fundi i përrallës dhe vendin do ta kemi nën vëzhgim”- deklaroi komisioneri evropian për zgjerim, Johanes Hahn.
 
Sipas eurokomisionerit për zgjerim, kujdesi ndërkombëtar për Maqedoninë nuk ka munguar dhe fakt për këtë është edhe dialogu politik, që do të mbahet në Shkup. Unë në vazhdimësi raportoj në  Këshillin e Ministrave për Punë të Jashtme dhe në BE gjithçka që ndodhë në Maqedoni dhe kjo tregon se jemi prezent në vendin tuaj, ka theksuar Han.
 
BESIM ABDULLAI