Maqedoni
Kuvend, pas prokurorit special pritet komisioni anketues
17.09.2015 18:04
Pas kthimit të opozitës në Kuvend dhe zgjedhjes së prokurorit special, një ndër pikat e Marrëveshjes politike të dy qershorit është edhe zgjedhja e një komisioni anketues...

Pas kthimit të opozitës në Kuvend dhe zgjedhjes së prokurorit special, një ndër pikat e Marrëveshjes politike të dy qershorit është edhe zgjedhja e një komisioni anketues, i cili do të duhet të shqyrtojë skandalin me përgjimet e paligjshme.
Edhe pse për zgjedhjen e këtij trupi parlamentar nuk është caktuar ndonjë afat, partitë politike janë shumë larg marrëveshjes për një komision të tillë. Jozyrtarisht mësohet se protagonistët kryesorë kanë qëndrime diametralisht të kundërta nisur që nga titulli i këtij komisioni deri te konkluzat, që do të duhej të sjellë ky trup.
LSDM vlerëson se duhet të jetë komision anketues për skandalin e përgjimeve, ndërkaq VMRO-DPMNE kërkon komision anketues për shqyrtimin e prishjes së sistemit të sigurisë dhe mbrojtjen e privatësisë.
Përderisa opozita kërkon të shqyrtohet burimi i përgjimeve, shumica maqedonase kërkon të shqyrtojë se si materialet e përgjuara kanë arritur në duart e opozitës dhe opinionit.
Sa u takon konkluzave të mundshme, LSDM kërkon që me to të përcaktohet përgjegjësi politike, ndërsa VMRO gjykon se me konkluzat duhet të konstatohen shkeljet dhe dobësitë sistemore në bazë të të cilave pastaj do të ofrohen zgjidhje ligjore që një skandal i tillë të mos përsëritet.
Partitë politike kanë mospërputhje edhe rreth anëtarëve të komisionit anketues, të cilin duhet ta përbëjnë katër partitë më të mëdha parlamentare. Me Marrëveshjen e Përzhinës është konkretizuar se me këtë komision duhet të udhëheq opozita.
Jozyrtarisht mësohet se dallimet janë evidente dhe nuk janë kapërcyer gjatë takimeve koordinuese, prandaj është kërkuar ndërhyrja e mediatorit belg, Piter Van Hojt.
SHPËTIM NUREDINI
