Maqedoni
Mexhiti takoi eurodeputetët në Bruksel, Vajgël dhe Hovit çmojnë kontributin e BDI-së
17.09.2015 18:23
Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, në Bruksel ka zhvilluar takime të ndara me eurodeputët, Monika Makovej, Tanja Fajon, Riçard Hovit dhe Ivo Vajgël...

Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, në Bruksel ka zhvilluar takime të ndara me eurodeputët, Monika Makovej, Tanja Fajon, Riçard Hovit dhe Ivo Vajgël, si dhe me raportuesin aktual për Maqedoninë në Parlamentin Evropian.
Eurodeputetët përshëndeten zgjedhjen e prokurorit special, me shpresë se ky hap do të kontribuojë në kthimin e besimit të funksionimit të institucioneve dhe sundimit të drejtësisë në vend.
Duke folur nga pozita e nënkryetarit të BDI-së, Mexhiti tha se pozicioni i integristëve bazohet në respektimin e marrëveshjeve për ruajtjen e kredibilitetit politik të vendit dhe perspektivën e tij euroatlantike.
“U bisedua edhe për situatën momentale në Maqedoni, për perspektivën e vendit, për zgjedhjet e ardhshme dhe për rolin e faktorit shqiptar, në veçanti të BDI-së, ku morëm një vlerësim të përgjithshëm për rolin e z. Ahmetit dhe të BDI-së gjatë këtij procesi dhe na u tha që të vazhdojmë edhe më tutje me kontributin e tillë”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Gjithsesi, qëllimi kryesor i vizitës së Mexhitit në Bruksel është hapja e zyrës së përhershme të Komunës së Çairit atje, që do të ndihmojë në tërheqjen e investimeve të huaja.
“Përforcimi i decentralizimin është në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, në veçanti të shqiptarëve, dhe është një model evropian i cili duhet të aplikohet në Maqedoni. Po ashtu biseduam edhe për mënyrën e suksesshme për tërheqjen e fondeve. Deri më tani nga Komuna e Çairit, duke përfshirë programin KARC, por tani edhe IPA fondet, me theks të veçantë për bashkëpunim ndërkufitar... Për këtë qëllim erdhëm në konkluzion që është mirë të hapet edhe një zyrë e Komunës së Çairit këtu në Bruksel, me qëllim që të jemi më afër institucioneve evropiane dhe më afër fondeve edhe më afër bashkëpunimit, ku ngriten shumë iniciativa për vëllazërim të Komunës së Çairit në komunat evropiane, që bashkërisht të aplikojmë për fonde evropiane”- theksoi Mexhiti.
Mexhiti ftoi eurodeputetët, Vajgël dhe Hovit, që gjatë qëndrimit të ardhshëm të tyre në Shkup ta vizitojnë Komunën e Çairit, me çka do të kenë mundësi të njihen me realizimin e disa projekteve të rëndësishme në komunë.
Ai gjithashtu ka zhvilluar takime edhe me komunitetin shqiptar në Bruksel.
REXHEP QAMILI
