Basketboll
EuroBasket 2015: Spanja mposht Francën dhe shkon në finale
18.09.2015 12:14
Spanja është finalistja e parë e Eurobasket 2015. Iberikët triumfuan 80-75 supersfidën me Francën...
Një duel emocionues, ku për të përcaktuar fituesin u nevojit koha shtesë. Në gjysmëfinalen e zhvilluar në Lille spikati paraqitja e jashtëzakonshme e Pau Gasol, autor i 40 pikëve.
Franca e nisi mjaft mirë përballjen duke e mbyllur periodën e parë në avantazh 20-17.
Në duelin me ritëm të lart, Spanja ishte në disavantazh edhe në startin e fraksionit të dytë.
Por, me kalimin e minutave “Furia e Kuqe” ngushtoi diferencën dhe arriti të përmbyste shifrat. Edhe perioda e tretë u dominua nga francezët.
Pas startit të ekuilibruar, të zotët e shtëpisë nisën shkëputjen. Me koshat e Parker dhe tripikëshat e Lauvergne e Gelabale, Franca krijoi distancën e sigurisë me 8 pikë.
Por, Franca uli ritmin dhe vuajti në gjetjen e koshave në momentin vendimtar.
Spanja rikthehet fuqishëm në lojë, falë pikëve të Gasol, ndërsa për të evituar humbjen e vendasve shërbeu tripikëshi i Batum. Koha e rregullt u mbyll në barazim 66-66 dhe ndeshja shkoi në shtesë.
Emocionet e sfidës vijuan, me pikë nga të dyja kampet. 16 sekonda nga fundi, Pau Gasol kaloi në avantazh spanjollët, ndërsa presioni solli gabimet e vendasve.
Spanja në finale, ndërsa për 27 mijë tifozët e pranishëm në Lille mbeti vetëm zhgënjimi.
Iberikët presin të mësojnë emrin e kundërshtarit në finale. Për biletën e dytë Lituania, medalje argjendi në Europianin e fundit, sfidon Serbinë nënkampione të botës.