Maqedoni

Në Maqedoni bie numri i migrantëve, Kroacia mbyll 7 nga 8 pikat kufitare me Serbinë

18.09.2015 14:26

Kroacia ka mbyllur shtatë nga tetë pikat kufitare me Serbinë për të mos lejuar fluksin masiv të emigrantëve...

E vetmja rrugë e hapur që lidh Serbinë dhe Kroacinë është ajo e Bajakovës.
 
Kjo masë u mor pasi më shumë se 13.000 refugjatë kanë hyrë në Kroaci pasi Hungaria ka mbyllur kufirin me Serbinë të martën, duke bllokuar kështu njërën nga rrugët kryesore për në Bashkimin Evropian, që sivjet është përdorur nga më shumë se 200,000 emigrantë. 
 
Kroacia po ashtu ka vënë ushtrinë në gjendje gatishmërie, për t’u marrë me më shumë se 11,000 emigrantë që kanë hyrë në këtë vend nga Serbia, qysh më 16 shtator. 
 
Sllovenia, ndërkohë, ndaloi lëvizjen e trenave përmes linjës kryesore hekurudhore nga Kroacia, në kalimin kufitar Dobova, pasi organet e rendit kanë ndaluar një tren me rreth 150 emigrantë. 
Bullgaria ka filluar vendosjen e trupave në kufirin e saj juglindor me Turqinë, për të ndaluar fluksin e refugjatëve. Austria po ashtu ka nisur kontrolle selektive të automjeteve që hyjnë nga Hungaria, ndërsa Gjermania kontrollon njerëzit që hyjnë nga kufijtë me Austrinë dhe Republikën Çeke. 
 
Parlamenti Evropian ka mbështetur planin për sistemimin e 120,000 refugjatëve në BE, në bazë të kuotave të detyrueshme, por ministrat e Brendshëm të bllokut evropian, deri më tani, nuk kanë rënë dakord.
 
Gjermania dhe Franca janë në favor të planit, por Hungaria, Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia janë në mesin e disa shteteve anëtare që i kundërshtojnë fuqishëm kuotat e detyrueshme. 
 
Ndërkohë, numri i migrantëve që transitojnë nëpër Maqedoni ditëve të fundit ka shënuar rënie, megjithëse në kampin në Gjevgjeli edhe më tej vazhdon arritja e migrantëve në grupe prej rreth 100 personash.
 
Këtë mëngjes, drejt vendkalimit kufitar me Serbinë, në Tabanoc, janë nisur rreth 600 emigrantë, ndërsa gjatë ditës pritet që drejt Tabanocit të nisen edhe dy trena. Dje nëpër Maqedoni kanë transituar 2500 migrantë.
 
GYLTENE SINANI