Maqedoni
Ademi në Konferencën Rajonale Ministrore në Kroaci
18.09.2015 14:35
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi, po merr pjesë në Konferencën Rajonale Ministrore e cila po mbahet në Split - Republika e Kroacisë...

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi, po merr pjesë në Konferencën Rajonale Ministrore e cila po mbahet në Split - Republika e Kroacisë, ku u nënshkrua Marrëveshja për themelimin e Qendrës për Hulumtim dhe Inovacione në Ballkanin Perëndimor - ËISE.
“Kjo Qendër është e një rëndësie të veçantë për forcimin e mbështetjes së vendeve nga Ballkani Perëndimor në lëmin e hulumtimit, zhvillimit dhe inovacionit theksoi Ademi duke përmendur se themelimi i kësaj Qendre do të përforcojë bashkëpunimin rajonal e cila do të kontribuojë në rritjen e kapacitetit të hulumtuesve, shkëmbimin e njohurive dhe rezultateve shkencore si dhe përmirësimin e biznes klimës në rajon. Ky institucion strategjik do të mundësoj zbatim të suksesshëm të strategjisë rajonale, hulumtuese - zhvillimore për inovacione në Ballkanin Perëndimor duke tërhequr mjete më të mëdha financiare për investim në hulumtim, zhvillim dhe inovacione” shtoi Ademi në fjalën e tij
Zbatimi i katër iniciativave nga Plani Aksionar i strategjisë rajonale hulumtuese- zhvillimore për inovacione të Ballkanit Perëndimor do të mundësojë integrim më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në hapësirat hulumtuese Evropiane, rritje ekonomike të vendeve , si dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Dëshiroj të përshëndes mbajtjen e këtij takimi të rëndësishëm, me shpresë se do të sigurohen mjete financiare për implementimin e iniciativave dhe aktiviteteve të parashikuara në Strategjinë rajonale Hulumtuese zhvillimore për inovacione në Ballkanin Perëndimor. Kjo padyshim që do të kontribuojë në shkëmbimin e ideve dhe përvojave, bashkëpunimin e përforcuar, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit të vendeve nga Ballkani Perëndimor dhe përpjekjet më të mëdha në shkencë dhe inovacione”, tha Ademi.
Ministri Ademi, në fjalimin e tij para të pranishmëve i potencoi edhe përpjekjet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në përmirësimin e veprimtarisë shkencoro - hulumtuese në Republikën e Maqedonisë.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës përgatit 4 programe vjetore për arsimin e lartë dhe veprimtari shkencoro - hulumtuese në Republikën e Maqedonisë. Një nga qëllimet kryesore të programit është që deri në vitin 2020 rritja e investimeve në hulumtim dhe zhvillim të arrijë deri në 1,8 % nga Bruto prodhimi vendor ,ndërsa pjesëmarrja nga sektori privat të arrijë deri 50% . Gjatë vitit 2012, Qeveria e Republikës së Maqedonisë miratoi Strategjinë për Inovacione në Republikën e Maqedonisë 2012 - 2020 “, tha Ademi
Një nga projektet më të rëndësishme të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është projekti për pajisjen dhe modernizimin e laboratorëve të universiteteve shtetërore, projekt me vlerë prej 60 milion euro.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës potencoi Ademi vazhdimisht mbështet idenë se investimi më i madh është arsimimi i gjeneratave të reja, ndërsa përmes stimulimit të kreativitetit të tyre shkencorë si shtet do të krijojmë potencial të ri shkencorë, i cili përmes hulumtimeve dhe njohurive të tyre do të kontribuojnë pozitivisht në të gjitha sferat e shoqërisë dhe shtetit”.
Ministri Ademi, para të pranishmëve përmendi edhe rritjen e konsiderueshme të bashkëpunimit shkencorë ndërkombëtarë me shumë vende, në veçanti me vendet evropiane e cila realizohet përmes Programit Horizont, COST, EUREKA, NATO, IAFA dhe LSA.
