Maqedoni
Hahn: Marrëveshja u nënshkrua, presim realizimin; Mehmeti kërkon mbikëqyrje nga BE për rastet “Monstra” dhe “Sopoti”
18.09.2015 16:07
Eurokomisari, Johanes Han, përshëndeti kthimin e opozitës në Kuvend dhe miratimin e Ligjit të ri për prokuror...

Në seancën e Komisionit për Çështje Evropiane, Han bëri thirrje të realizohen reformat për sundimin e së drejtës, reformat zgjedhore të realizohen deri në zgjedhjet e parakohshme, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë do t’i mbikëqyr Komisioni Evropian.
Ai në mënyrë decide theksoi se kriza politike nënkuptonte pengimin e dialogut të lartë, por shprehu besimin se ky dialog tani do të vazhdojë.
“Gëzohem për kthimin e opozitës në Parlament dhe për Ligjin për prokuror të posaçëm dhe për përzgjedhjen e prokurores së posaçme. Ajo do ta ketë tërë mbështetjen e nevojshme që të mund ta kryej punën e saj ashtu siç duhet. Përshëndes marrëveshjen politike të arritur me ndihmën e BE-së, si hap të rëndësishëm drejt Unionit, pasi ajo tregoi se interesat e shtetit dhe qytetarëve janë para interesave partiake, ndërsa tani e rëndësishëm është realizimi i saj”- deklaroi eurokomisioneri për zgjerimin e BE-së, Johanes Han.
Zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, kërkoi nga Komisioni Evropian që në raport-progresin e radhës të reflektojë avancim dhe të ketë sinjal për fillimin e negociatave.
“Interesi i qytetarëve dhe i vendit u vendos mbi atë partiak, që siguron një bazë më të mirë për vazhdimin dhe intensifikimin e reformave të brendshme në javët dhe muajt që vijojnë. Në këtë drejtim, Qeveria gjithashtu gjatë muajit qershor-korrik përgatiti edhe plan-veprimin sipas rekomandimeve, udhëzimeve të prioriteteve urgjente nga KE-ja, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës në institucionet e vendit, duke përgatitur një draft të plan-veprimit. I njëjti pastaj është ndarë edhe me KE-në, partitë politike nënshkruese të Marrëveshjes së 2 qershorit, duke përfshirë këtu edhe debatet me sektorin civil dhe mediat”- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi.
Ermira Mehmeti nga BDI kërkoi nga euokomisari Han që të ndihmojë për t’u zbardhur e vërteta për rastin e Sopotit dhe Rastin “Monstra”.
“Shqiptarët nga procesi i Przhinës presin përgjigje për të paktën dy dilema apo probleme të ndjeshme, për rastin e Sopotit dhe rastin “Monstra”. Ne kërkojmë dhe presim mbështetje evropiane që të garantojnë që institucionet, prokurori special të mundësojë që këto dy raste të marrin përgjigjen e merituar dhe me proces transparent, profesional dhe të paanshëm”- tha Ermira Mehmeti nga BDI.
Nga ShGM, ndërkohë, kërkuan nga eurokomisioneri Hahn që të ndërhyjë që qeveria të respektojë lirinë e mediave dhe të zbardhë rastet e dhunës ndaj gazetarëve.
“Nëse ka vullnet politik , ekzistojnë zgjidhje të forta dhe efikase që për një kohë të shkurtër do t’i lirojnë mediat nga kontrolli politik dhe partiak. Nëse duam ndryshime të vërteta në sistemin medial, janë të nevojshme zgjidhje të përmbajtura dhe jo zbukurime kozmetike”- u shpreh kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Kryetarja e Këshillit Nacional për Eurointegrime, Lidija Dimovska, kërkoi nga Hahn që të hapen bisedimet me BE-në në dhjetor të këtij viti edhe atë me kapitullin 24.
Edhe nga VMRO kërkuan që KE të mos japë vetëm sugjerime, por të caktojë datën për fillimin e bisedimeve.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
