Botë

Protesta në Luginën e Preshevës, OVL-UÇPMB: stop diskriminimit që po na bën Serbia

18.09.2015 17:33

OVL e UÇPMB-së në Preshevë, në koordinim me Shoqërinë Civile, organizuan protestë përmes së cilës kërkojnë ndërprerjen e diskriminimit që Serbia...

OVL e UÇPMB-së në Preshevë, në koordinim me Shoqërinë Civile, organizuan protestë përmes së cilës kërkojnë ndërprerjen e diskriminimit që Serbia po i bën shqiptarëve të luginës.
 
Ata kërkuan edhe  kthimin e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, të hequr nga sheshi kryesor.
 
Po ashtu, shprehin pakënaqësinë për dhënien e mirënjohjes kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga kreu i Preshevës, Ragmi Mustafa, të cilin e quajtën “Esad pasha i Preshevës”.
 
“Me praninë e pushtetarëve tanë të cilët shkelin mbi gjakun e dëshmorëve, populli le të kuptojë se ne nuk pranojmë ata që marrin votën, mashtrojnë dhe vjedhin, injorojnë votën që kanë marrë, nuk e kanë vendin këtu të na udhëheqin. Gjithashtu ia bëjmë me dije Serbisë se këto troje janë shqiptare”- deklaroi kryetari i OVL-UÇPMB-së, Nazmi Hajredini.
 
Protestuesit kërkuan demilitarizimin e vendbanimeve shqiptare të stërngarkuara nga policia, xhandarmëria, ndalimin e spastrimit etnik në Luginën e Preshevës dhe kërkojnë që Beogradi të respektojë Marrëveshjen për amnisti për ish pjesëtarët e UÇPMB-së.
 
Protesta u përkrah nga Fondi Humanitar nga Zvicra, shoqata tjera vendore dhe nga diaspora.
 
FLUTURA LATIFI