Maqedoni
Hahn takoi Ahmetin, Zaevin dhe Thaçin, kërkohet përmbyllja e të gjitha pikave të marrëveshjes
18.09.2015 17:45
Eurokomisari, Johanes Hahn, ka realizuar takim me liderët e partive politike, Ali Ahmetin, Menduh Thaçin dhe Zoran Zaevin...

Eurokomisari, Johanes Hahn, ka realizuar takim me liderët e partive politike, Ali Ahmetin, Menduh Thaçin dhe Zoran Zaevin, me të cilët ka biseduar për implementimin e Marrëveshjes së Përzhinës, e cila filloi me zgjedhjen e prokurorit special.
Lideri i BDI-së, Ahmeti, tha se Marrëveshja e 2 qershorit do të quhet e kompletuar kur të implementohen në tërësi të gjitha pikat e saj.
“I përshëndeti hapat që janë bërë deri më tani, por vlerësimi në tërësi ishte që ky është vetëm fillimi, por jo mbarimi i implementimit të kësaj marrëveshje. Gjithashtu ngrita si çështje për t’u diskutuar dhe trajtuar mirë edhe marrëdhëniet ndëretnike, raportet me fqinjët, por edhe njëherit edhe reformat në tërësi në vendin tonë për të kapur hapin e duhur drejt rrugëtimeve euroatlantike. Ne jemi dakord që të gjitha hapat duhet të përshpejtohen sa më shumë që të mbyllen çështjet, si Kodi Zgjedhor”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Edhe lideri opozitar, Zaev, tha se me eurokomisarin Hahn më tepër janë përqendruar në fazat e ardhshme të implementimit të marrëveshjes.
“Më vjen mirë që BE-ja imponoi afate konkrete për atë që kemi biseduar për realizimin e marrëveshjes. Për ne është me rëndësi që sa më shpejtë të realizohet ajo që e kemi definuar për arsye se sa më herët të kryen punët, na len hapësirë që gjatë implementimit të arrihen përfundime më kualitative”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Ndërkaq, lideri i PDSh-së thotë se Hahn ka kërkuar që deri më 6 tetor duhet të mbyllen ndryshimet e Kodit Zgjedhor, çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe përbërja dhe kompetencat e KShZ-së.
“Pjesa kryesore ku u koncentruam bashkërisht është aspekti i zgjedhjeve të parakohshme, sjellja e Kodit Zgjedhor, përmbushja e kërkesave tona, që është edhe arsyeja kryesore që e kemi nënshkruar këtë marrëveshje, se duhet lista e zgjedhësve të revidentohet, votuesit të votojnë me pika identifikuese të gishtit dhe ramë dakord që kjo të përfundojë deri më 6 tetor”- theksoi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Eurokomisari është takuar edhe me kryeministrin Gruevski.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
