Maqedoni
Kriza me migrantët në debat kuvendor, policia dhe ushtria mbeten në kufi
18.09.2015 18:33
Gjendja e krizës me emigrantët pritet të vazhdojë deri në qershor të vitit të ardhshëm, ushtria dhe policia do të mbeten në kufirin jugor për shkak...

Gjendja e krizës me emigrantët pritet të vazhdojë deri në qershor të vitit të ardhshëm, ushtria dhe policia do të mbeten në kufirin jugor për shkak të rritjes së numrit të refugjatëve. Me 82 vota “pro”, deputetët votuan për vazhdimin e gjendjes së krizës me emigrantët.
Ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, shpjegoi nevojën për një masë të tillë. Ai informoi se që nga fillimi i vitit të kaluar nëpër Maqedoni kanë kaluar 300.000 migrantë.
“Republika e Maqedonisë arriti që të ballafaqohet me sfidën dhe suksesshëm të zgjidh situatën e krijuar me migrantët”- tha Mitko Çavkov nga MPB.
LSDM përkrah propozimin, por dërgoi kritika deri te qeveria për, siç thonë, trajtimin brutal të migrantëve dhe se pengon punën e OJQ-ve në këtë drejtim. VMRO akuzon se deputetët e LSDM-së nuk kanë respekt ndaj institucioneve. Ka reaguar edhe BDI.
“Na servoi një vendim vetëm për ta votuar pa dhënë asnjë sqarim konkret dhe të përshtatshëm. Lidhur me afatin për krizën deri më 15 qershor 2016, kjo është politikisht e pajustifikuar. Në bazë të cilit kriter keni arritur deri te kjo datë?”- theksoi Goran Sugarevski nga LSDM.
“Çka është e kontestuese me datën? Pse të debatojmë në lidhje me datën? Reagimi ynë nuk është aspak më ndryshe nga reagimet e vendeve të tjera, të cilat gjithashtu ballafaqohen me transitimin e emigrantëve”- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dimitar Stevananxhija.
“Ky parlament me cilëndo përbërje që ka qenë ka miratuar ligj për funksionimin dhe organizimin e OJQ-ve, ato që kanë pengesa funksionale, ka institucione, pyetje deputetësh dhe shoh këtu një përfaqësues nga organizatat, me të cilën bashkë kemi punuar në ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për azil”- theksoi Talat Xhaferi nga BDI.
Deputetët e shumicës parlamentare thonë se institucionet kanë trajtuar me sukses fluksin e emigrantëve.
SANIJE KASAMI
