Maqedoni
Ujësjellësi i Tetovës, Izairi – Arifi: përfundon deri në fund të vitit
18.09.2015 18:40
Ministri i Ambientit Jetësor ka inspektuar nga afër sot punimet për ujësjellësin e Tetovës...

Ai thotë se punimet po ecin sipas parashikimeve dhe ujësjellësi do të përfundojë në kohë.
“Dalëngadalë po i vjen fundi këtij projekti, praktikisht kanë mbetur edhe 1.2 km. Siç e shikoni edhe ju, puna po ecën me një intensitet të lartë, gjithashtu po zhvillohet një punë shumë cilësore. Kemi shpresë që ky projekt deri në gjysmën e dytë të muajit të ardhshëm do të përfundojë”- thotë ministri Izairi.
Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, theksoi se çështja e ujësjellësit ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor i Komunës së Tetovës.
Ajo premtoi se do të vazhdojë edhe më tutje me projekte madhore për Tetovën.
“Jam zakonisht e kënaqur me dinamikën e punëve të filluara, me vetë faktin se tanimë mund të themi se jemi afër përfundimit pas një storie të gjatë të quajtur “Ujësjellësi i Tetovës”. Normalisht, aktiviteti ynë i mëtutjeshëm është në realizimin e stacionit të filtrimit. Komuna i ka përgatitur të gjitha dokumentacionet dhe mjetet nga Banka Evropiane për Zhvillim me të cilat do të duhet të jetë një vazhdimësi e këtij projekti. Mund të them se çështja e ujësjellësit ka qenë prioritet kryesor në aktivitetin tonë, prandaj edhe do të vazhdojmë më tutje të bëjmë projekte serioze me qëllim që të tërheqim buxhet nga buxheti shtetëror, me qëllim që qytetarët t’i shfrytëzojnë këto të mira”- shtoi Arifi.
Autoritetet qendrore dhe lokale u premtuan banorëve të Tetovës se më së voni deri në përfundim të këtij viti qyteti i Tetovës dhe qytetarët e saj do të kenë ujë të pijshëm, duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë këtij problemi.
VISAR SADIKI
