Botë

Mbi 13 mijë migrantë kanë hyrë në Austri, Kroacia acaron marëdhëniet me Hungarinë

20.09.2015 16:01

Austria mbetet destinacioni i fundit për mijëra migrantë...

Më shumë se 13 mijë refugjatë kanë hyrë në Austri, pasi përdorën Slloveninë, Kroacinë dhe Hungarinë si vende tranzite.

Sipas të dhënave të Kryqit të Kuq të Austrisë, vetëm këtë fundjavë kanë hyrë më shumë se 3 mijë persona.

Ndërsa vetëm nga kufiri hungarez kanë kaluar të paktën 6,700 njerëz. Migrantët për disa ditë ishin bllokuar në pjesën juglindore të Evropës dhe ia filluan të hyjnë në Austri, pasi Hungaria i përcolli ata për në kufi.  

Mijëra migrantë ishin bllokuar në këtë pjesë të Evropës, pasi disa vende kanë ngritur barriera për ta penguar kalimin e tyre në pjesën perëndimore të Evropës.

Rruga e migrantëve së pari ishte bllokuar nga Hungaria e cila e ka mbyllur kufirin e saj me Serbinë.

Kjo kishte shkaktuar fluks masiv të afro 20 mijë njerëzve që kishte hyrë në Kroaci, gjatë disa ditëve të fundit.

Kroacia ka thënë se nuk mund të përballet me këtë numër dhe ka filluar t’i përcillte migrantët në kufirin me Hungarinë, derisa po ashtu, e ka mbyllur kufirin e saj me Serbinë.

Ky veprim i ka acaruar marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Hungarisë.  

Hungaria ka dërguar automjete të blinduara në kufirin e saj me Kroacinë, ndërsa tensionit rriten mes dy vendeve fqinje gjatë krizës së emigrantëve.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, urdhëroi sot përparimin e operacioneve ushtarake ndërkohë që Kroacia vazhdon të dërgojë autobusë me emigrantë në kufijtë e saj.  

Kryeministri kroat, Zoran Milanovic tha se vendi i tij nuk përballon më emigrantë por që atyre që janë në Kroaci, do t’u japë ushqim, ujë dhe kujdes shëndetsor, përpara se të nisën në udhëtimin e tyre drejt Europës Perëndimore e Veriore.

Rreth 3000 emigrantë hynë në Hungari me autobus e tren të premten duke bërë që zyrtarët hungarezë të akuzonin Kroacinë se po shkelte ligjin ndërkombëtarr.

Gjithashtu 2 mijë migrantë kanë hyrë në Gjermani, ka bërë të diitur Kryqi i Kuq i Austrisë.

Ministri i brendshëm gjerman Tomas de Mezier ka thënë që Bashkimi Evropian nuk mund që deri në pafundmëri të pranojë refugjatë, por vetëm numër të kufizuar prej tyre, ndërsa të tjerët t’i dërgojë në ndonjë vend të sigurt në rrethinën nga kanë origjinën.

ERSAN PAJAZITI