Botë

Kriza, Në Slloveni vetëm dje kaluan 1. 500 emigrantë, Kryeministri viziton kampin

20.09.2015 19:45

Kryeministri slloven Miro Cerar deklaroi se vendi i tij dëshiron të lehtësojë një “rrjedhje të kontrolluar” të emigrantëve drejt Evropës Perëndimore...

Komenti i kryeministrit slloven erdhi pas vizitës në një qendër të regjistrimit të refugjatëve në qytetin e Brezisë në afërsi të kufirit kroat.
 
“Është detyra jonë, në bazë të marrëveshjeve, për të regjistruar klandestinët. Nëse situata merr përmasa akoma më të mëdha procedurat e regjistrimit do të reduktohen. Po përpiqemi të tregojmë se jemi human, nuk duam dhunë, por duam të realizojmë një kalim të kontrolluar të emigrantëve drejt destinacioneve të tyre", tha Cerar.
 
Hungaria blindon kufirin – Ndërkohë Hungaria ka dërguar automjete të blinduara në kufirin e saj me Kroacinë, ndërsa tensionit rriten mes dy vendeve fqinje gjatë krizës së emigrantëve.
 
Një grup tankesh dhe autoblindash, kanë transportuar disa qindra ushtarë dhe rezervistë drejt kufirit jugor të Hungarisë.
 
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, urdhëroi përparimin e operacioneve ushtarake ndërkohë që Kroacia vazhdon të dërgojë autobusë me emigrantë në kufijtë e saj.
 
Edhe pse nuk u ndalën në asnjë nga qytetet kufitare, tanket patrullonin kufirin pas përleshjeve që ndodhën gjatë javës.
 
Në Kroaci kanë kaluar rreth 20 mijë refugjatë, shumica e tyre nga Siria, që kur Hungaria bllokoi rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian me një gardh teli me gjemba prej 110 miljesh.
 
Ata që mbërritën në kufirin hungarez u përballën me gazin lotsjellës të hedhur nga policia hungareze. Në përgjigje të tyre, Kroacia deklaroi se do t’i ofronte azilkërkuesve një rrugë të hapur drejt tokës europiane, por shpejt e gjeti veten nën presion.
 
Kryeministri kroat, Zoran Milanovic tha se vendi i tij nuk përballon më emigrantë por që atyre që janë në Kroaci, do t’u japë ushqim, ujë dhe kujdes shëndetsor, përpara se të nisën në udhëtimin e tyre drejt Europës Perëndimore e Veriore.
 
Sipas policisë sllovene, rreth 1,500 emigrantë kaluan në Slloveni nga Kroacia të shtunën, ndërsa qindra të tjerë janë të bllokuar në kufi.
 
Izmiri tani kamp refugjatësh- Ndërkaq Izmiri qyteti i tretë më i madh i Turqisë nga një destinacion turistik është kthyer në një kamp të madh refugjatësh.
 
Në Izmir janë regjistruar më shumë se 70.000 refugjatë, nnë pritje për të kaluar detin drejt Greqisë dhe prej andej të shkojnë më tej në Evropë.
 
Por disa prej tyre duan të qëndrojnë në Izmir, të punësohen në Turqi e të shohin mundësinë që së shpejti të kthehen në vendet e tyre.
 
Megjithatë kjo nuk është e lehtë për ta. Të tjerë shprehen se edhe bujaria gjermane nuk do të zgjasë shumë, ndaj e shohin të vështirë të ardhmen e tyre.