Maqedoni

Çarshia e Shkupit, më 22 dhe 23 shtator festivali “Tingujt e Çarshisë”

21.09.2015 15:16

Më 22 dhe 23 shtator, Çarshia e Vjetër e Shkupit për herë të nëntë me radhë do të jetë nikoqire e një numri të madh artistësh në kuadër të festivalit “Tingujt e Çarshisë”...

Sermine Purini nga Qendra Informative Kulturore bëri të ditur se në ditën e parë të festivalit, më 22 shtator, është paraparë koncerti madhështor me Shpend Latifin me bendin e tij dhe grupin “Sllatkaristika” me dixhej.
 
Derisa në ditën e dytë, më 23 shtator, do të prezantohet Akua dens, për të vazhduar me këngë qytetare maqedonase.
 
Saranda Osmani me një grup të rinjsh, instrumentalistë të muzikës klasike, do të jenë të shpërndarë nëpër rrugicat e Çarshisë së Vjetër, do të ketë koloni të artit, shoqëritë kulturore artistike do të jenë tek xhamia e Murat Pashës dhe në orën 20, në Librarinë e Çarshisë do të ketë mbrëmje letrare.
 
“Prej orës 21 deri në 24, në Kurshumli Han vazhdon koncerti madhështor, ku do të jenë mysafirë Shkurte Fejza me Agim Bend, Adrian Gaxha me Lindonin dhe Florianin, dhe Ledri Vula dhe Era Istrefi”- deklaroi drejtoresha e Qendrës Informative Kulturore, Sermine Purini.    
                              
Festivali “Tingujt e Çarshisë” ka për qëllim që nëpërmjet aktiviteteve kulturore ta bëjë kthimin e njerëzve në Çarshinë e Shkupit, theksuan kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, dhe kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski.
 
“Aktivitetet kulturore, si “Tingujt e Çarshisë” dhe aktivitete tjera që organizohen nga Qendra për Informim Kulturor dhe institucione tjera, janë ndër faktorët kryesorë që sot çarshia është vendi më i frekuentuar në qytetin e Shkupit. Çarshia është atraksion për turistët dhe atë që dua ta theksoj është se Çarshia u ringjall kur të gjithë ne ju kthyem Çarshisë”- theksoi kryetari i Çairit, Izet Mexhiti.                                                                                                           
“I ftoj qytetarët që këto dy ditë ta vizitojnë Çarshinë e Vjetër të Shkupit, edhe pse tanimë ajo është shumë e vizituar, dhe të kënaqen në tërë atë që ky festival ua ofron qytetarëve të Shkupit dhe vizitorëve”- u shpreh kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski.
 
Festivali realizohet nën organizimin e Qendrës Kulturore Informative në Shkup, me mbështetje të Komunës së Çairit dhe qytetit të Shkupit.

GYLTENE SINANI