Maqedoni

Nga moti i ligë, pësuan disa fshatra në Komunën e Nagoriçit

21.09.2015 15:47

Pas motit të ligë që dje pasdite përfshiu Kumanovën me rrethinë, gjatë ditës së sotme bëhen të ditura edhe pasojat...

Sipas Qendrës Rajonale për Menaxhim me Kriza, më të prekura kanë qenë fshatrat e Komunës së Nagoriçit të vjetër, ku mësohet se për rreth 30 minuta ka rënë shi i rrëmujshëm, i përcjellë me erë të fortë dhe me breshër, me ç’rast dëme ka pasur në sipërfaqet bujqësore, kurse nga rrëfeja është shkaktuar edhe zjarr, me ç’rast është djegur sasi e madhe e kashtës.
 
Pritet që Këshilli i Komunës së Nagoriçit të shpallë fatkeqësi elementare, për çka edhe do të ndërmerren masa për kompensimin e dëmeve. 
 
Nga moti i ligë ishte i përfshirë edhe qyteti i Kumanovës. Në pjesën qendrore përballë Shkollës “Kërste Misirkov”, nga një godinë katërkatëshe era ka shkulur çatinë prej llamarine, duke e përplasur mbi disa vetura të parkuara. Fatmirësisht në ato momente nuk ka pasur frekuentim të qytetarëve dhe shkolla nuk ka punuar. 
 
Ndërkaq, në rrugën “Kiro Fetak”, në pjesën qendrore të Kumanovës,  për nxjerrjen e ujit nga bodrumi është dashur të intervenojë ekipi i zjarrfikësve. 
 
Ndërkohë që nuk ka njoftime për ndonjë dëm në Komunën e Likovës. 
 
NEXHAT AQIFI