Botë

Rezultati i zgjedhjeve në Greqi, Tsipras dhe SIRIZA sërish fitues

21.09.2015 16:07

Fitorja e SIRIZA-s dhe koalicioni me Grekët e Pavarur është rezultati i zgjedhjeve të djeshme në Greqi...

Partia e majtë ka fituar 35% të votave,  përballë partisë tjetër të fuqishme Demokracia e Re, e cila arriti të mbërrijë 28% të votave. Lideri i SIRIZA-s, Aleksis Cipras, theksoi se ky rezultat shënoi një fitore të madhe për popullin grek.
 
“Dua t’ju falënderohem nga thellësia e zemrës për këtë fitore të madhe dhe të pastër. Kjo fitore është fitore e popullit. Ne kishim një betejë të rëndë, ndërsa sot ndjej edhe miratim, sepse populli grek më dha mandat të qartë që të vazhdojmë të luftojmë brenda dhe jashtë vendit, që të ngrisim krenarinë e popullit tonë”- deklaroi lideri i SIRIZA-s, Aleksis Cipras.
 
Qytetarët, përkrahës të SIRIZA-s, përpara selisë së partisë festuan fitoren, por megjithatë nuk ndjejnë siguri për të ardhmen e tyre.
 
“Ishim të sigurt në fitoren e SIRIZA-s edhe pse në muajt e kaluar qeveria bëri disa gabime. Por, shpresojmë se Evropa do të ndalet së qenurit Evropë e tregjeve dhe bankierëve. Ajo patjetër të ndryshohet”- theksoi një qytetar.  
 
“Mendojmë se ardhmërinë e kemi të paparalajmëruar, nuk e dimë se çfarë masa të reja do të implementojë qeveria”- tha një qytetar.
 
Lideri i Partisë Demokracia e Re, Evangelos Memirakis, pranoi humbjet në zgjedhje, ndërkaq rivalit të tij, Cipras, ia uroi fitoren dhe i bëri thirrje për formimin e qeverisë së re dhe nxjerrjen e vendit nga kriza. 
 
Ndryshe, qeverinë e ardhshme e pret një sfidë e madhe në muajt në vijim.
 
Sipas memorandumit të tretë, qeveria e re greke duhet të implementojë një numër të konsiderueshëm masash kursimi në shkëmbim të ndihmës së paketës financiare ndërkombëtare prej 85 miliard euro.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU