Botë

BE samit më 23 shtator për krizën e emigrantëve, Kroacia: Greqia të ndalë lëvizjen e emigrantëve

21.09.2015 16:28

Kroacia do të kërkojë që Greqia ta ndalë lëvizjen e emigrantëve nga Lindja e Mesme në pjesën tjetër të Evropës...

Kroacia do të kërkojë që Greqia ta ndalë lëvizjen e emigrantëve nga Lindja e Mesme në pjesën tjetër të Evropës, tha ministri i Brendshëm i Kroacisë, Ranko Ostojiq, në kampin “Opatovac”, afër qytetit lindor Tovarnik.
 
Ai ka paralajmëruar se këtë do ta kërkojë në takimin e ministrave të brendshëm të vendeve të Bashkimit Evropian.
 
“Fluksi i emigrantëve nga Greqia duhet të ndalet. Është absolutisht e papranueshme që Greqia t’i zbrazë kampet e refugjatëve dhe t’i dërgojë njerëzit kah Kroacia, nëpër Maqedoni dhe Serbi”- tha ministri i Brendshëm i Kroacisë, Ranko Ostojiq.
 
Kroacia ka mbyllur shtatë nga tetë pikat kufitare me Serbinë deri në njoftimin e radhës, për shkak të fluksit masiv të emigrantëve dhe refugjatëve, ka bërë të ditur Ministria e Brendshme.
 
Bashkimi Evropian, për muaj të tërë nuk ka arritur të bie dakord për mënyrën e sistemimit të emigrantëve, duke bërë që shumë shtete anëtare të marrin hapa të njëanshëm për kontrollimin e kufijve të tyre.
 
Hungaria ka mbyllur kufirin e saj me Serbinë, duke ngritur gardh me tela dhe çdo hyrje të paligjshme në vend e konsideron shkelje penale. Po ashtu autoritetet hungareze kanë thënë se do të zgjasin gardhin edhe në kufirin e saj me Rumaninë. 
 
Nga ana tjetër, autoritetet gjermane kanë thënë se këtë vit mund të jenë të detyruar të pranojnë deri në një milionë emigrantë, prandaj ministri i Jashtëm, Steinmeier, ka deklaruar se është “obligim moral e politik” që të përfundojë dhuna në Siri. 
 
Vend transit i migrantëve është edhe Maqedonia, ku vetëm dje kanë transituar mbi 4.000 migrantë.
 
Kryqi i Kuq Ndërkombëtar kumtoi se, sipas të dhënave të tyre, nga Gjevgjelia në Tabanoc dje janë larguar rreth 4.500 migrantë. Sipas sektorit joqeveritar, kjo paraqet rritje të fluksit në krahasim me ditët e mëparshme.
 
REJHANE BUSHI-METAJ