Maqedoni

Rreziku nga vërshimet, Zendeli: Në vazhdimësi ndjekim pikat më kritike

21.09.2015 16:32

Me ardhjen e vjeshtës dhe fillimin e reshjeve të shiut rritet rreziku për paraqitjen e vërshimeve...

Vendbanimet më të rrezikuara  nga vërshimet, si pasojë e reshjeve atmosferike me intensitet më të madh, janë ato që shtrihen pranë lumenjve, thonë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.
 
“Si vend më kritik që paraqitet në RM ne kemi Komunën e Jegunovcës me lumin Vardar, ku shpeshherë paraqiten vërshime dhe del nga shtrati, nëse kemi nivel më të madh të lumit Vardar. Crna Reka është një lum që bën shumë probleme, edhe atë duke filluar nga dalja Bucin, në pjesët e poshtme të Pocanit, në Mobilla, Novaci, në komunat më të mëdha të Prilepit edhe Manastirit, po ashtu edhe në rajonin e Koçanit dhe Shtipit kemi raste kur lumi Bregallnica, po ashtu nga reshjet më të ulëta, mund të bëjë probleme. Edhe në Komunën e Strumicës dhe Gjevgjelisë, d.m.th. në Strumicë lumi Strumica dhe në Gjevgjeli lumi Vardar”- deklaroi zëvendësdrejtori në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ekrem Zendeli.
 
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në bashkëpunim me Qendrën për Menaxhim me Kriza dhe Pushtetin Lokal, në vazhdimësi ndjekin pikat më kritike nëpërmjet njësive rajonale në situata të ndryshme dhe menjëherë aktivizojnë ekipet që janë për intervenim të shpejtë të mobilizuar me mjetet e nevojshme, që të mund të evitojnë  vërshimet e mundshme.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI