Maqedoni
LSDM: Lidhjet partiake po dëmtojnë diplomacinë
21.09.2015 17:25
Komisioni për Politikë të Jashtme pranë LSDM-së të mërkurën do të shqyrtojë disa modele për riorganizimin e shërbimit diplomatik...

Qëllimi i nismës është që Maqedonia të ketë diplomaci ashtu siç e meriton dhe t’i kthehet reputacioni ndërkombëtar, tha anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme të LSDM-së, Viktor Gaber.
Sipas tij, nëntë vitet e fundit vendi dita ditës po izolohet, ndërsa ambasadorët nuk kanë përvojë diplomatike.
Arsyet për këtë gjendje janë lidhjet partiake dhe private të cilat diktojnë gjithçka në politikën e jashtme, ndërsa çmimin e paguajmë të gjithë ne dhe Maqedonia, të cilën e turpërojnë në çdo hap politikanë të papërgjegjshëm dhe ambasadorë amatorë, vlerëson Gaber.
Sipas tij, opinioni në Maqedoni çdo ditë po informohet për gafat e ambasadores Karagjozofska në Kroaci me dërgimin e notave deri tek mediat dhe sulmet verbale të maqedonasve që jetojnë në Kroaci, si dhe keqpërdorimin e pronës shtetërore për interesa private, por edhe më tej nuk është ndërmarrë asgjë për shkeljet e Konventës së Vjenës.
“Deri më tani ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski, nuk është distancuar nga veprimet e ambasadores, por edhe nuk e ka ftuar as për konsultim në Maqedoni. Vetëm të rikujtojmë se më parë ishte i nevojshëm vetëm një koment që Qeveria e Gruevskit të revokon ambasadorin e Maqedonisë në ShBA”- deklaroi Viktor Gaber nga LSDM.
Ky rast është vetëm një shembull që tregon se si Qeveria në largim e gjymtoi diplomacinë duke e shndërruar në rrjet partiako-familjar për të cilën Maqedonia është në vendin e fundit sa i përket prioriteteve.
Ndërkohë, në komunikatën e VMRO-DPMNE-së thuhet se udhëheqësia e LSDM-së duhet të japë vlerësim se vallë ky diplomat i harxhuar është i vetëdijshëm se konkurrentët e tjerë të tij, si Dobrinka Taskovska në Hagë, kanë afinitete për qërim fizik të problemeve, duke e prishur imazhin e shtetit, apo kishte edhe diplomatë të cilët kontrabandonin vetura, ashtu siç bënte Nano Ruzhin.
Këto ndodhi kanë qenë të turpshme për Maqedoninë, theksuan nga VMRO-DPMNE.
FLUTURA LATIFI
