Maqedoni

Izairi takon kryetarët e komunave, diskutohet menaxhimi i mbeturinave dhe depot e egra

21.09.2015 17:44

Menaxhimi i mbeturinave dhe mbyllja e depove të egra me plehra ishte në krye të agjendës së bisedimeve mes ministrit të Ekologjisë...

Menaxhimi i mbeturinave dhe mbyllja e depove të egra me plehra ishte në krye të agjendës së bisedimeve mes ministrit të Ekologjisë, Nurhan Izairit, dhe kryetarëve të komunave të rajonit verilindor të Maqedonisë.
 
Në këtë takim u bisedua se në çfarë mënyre dhe forme autoritet komunale mund t’i menaxhojnë mbeturinat e tyre pa dëmtuar ambientin jetësor.
 
“Temë kryesore bëhej çështja e depove. Siç e dini, në të dy rajonet janë duke u zhvilluar projekte të financuara nga IPA fondet dhe të dy rajonet janë në fazë goxha të avancuar dhe pritet që shumë shpejt, brenda 2 muajve, të fillojë procesi i fazës së parë, procesi i hapjes së tenderimit, ku do të zgjidhen kompanitë që do t’i mbyllin  disa deponi  të egra dhe do të ngelin në funksion të mëtutjeshëm deponitë e përkohshme”- deklaroi ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi.
 
Ndërkohë, ministri Izairi takoi edhe përfaqësuesit e Shoqatës së Ekspertëve për Ambientin Jetësor, “EKO Dialog”, dhe mori pjesë në debatin kushtuar propozim-ndryshimeve të bazave të ekonomizimit të ujërave.
 
“Për arsye të hartimit të bazës së ekonomisë së ujërave, në RM kanë kaluar më tepër se 40 vite dhe janë ndryshuar të dhënat hidrometeorologjike të cilat ndikojnë në zhvillimin e objekteve të ekonomisë së ujërave, janë ndryshuar nevojat e shfrytëzuesve të ujit dhe kuptimet e reja të hartimit të dokumenteve urbanistike të planit të cilat sjellin deri te nevoja e domosdoshme e ndryshimit të parametrave të akumulimit Jagmula. Shpresoj se në këtë mënyrë do të kemi sukses që ta hartojmë dhe të miratojmë një dokument me të cilin në periudhën e ardhshme do të vendosim drejtimet e duhura në menaxhimin dhe mbrojtjen e ujit, si një resurs shumë i rëndësishëm natyror”- tha ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi.
 
I pyetur për çështjen e “Jugohromit”, ministri Izairi tha se qeveria shumë shpejt pritet të diskutojë për këtë çështje.
 
REXHEP QAMILI