Maqedoni
Kuvend, opozita propozon heqjen e testimit ekstern
21.09.2015 17:57
Grupi parlamentar i opozitës së kryesuar nga LSDM propozon heqjen e testimit ekstern në arsimin fillor dhe atë të mesëm...

Sipas opozitës maqedonase, aplikimi i testimit ekstern nuk i ka dhënë rezultatet e pritura, por vetëm ka stresuar nxënësit dhe arsimtarët.
Sipas deputetes, Renata Treneska, testimi ekstern nuk është parametër i cili dëshmon cilësinë në arsim, dhe u refuzua nga nxënësit, arsimtarët dhe prindërit.
“Propozojmë shfuqizimin e tij, për arsye se ky koncept nuk i arriti qëllimet për të cilat, kushtimisht thënë, u aplikua, dhe jo vetëm kaq, por pati edhe pasoja negative si për nxënësit po ashtu edhe për mësimdhënësit”- deklaroi Renata Deskoska Treneska nga LSDM.
Ndërkaq, deputetja e pavarur, Sollza Gërceva, mbështet propozim ligjin, pasi, sipas saj, ai është një lloj përmbledhjeje e amendamenteve që ajo i ka propozuar gjatë miratimit të ligjeve në fuqi.
Megjithatë, edhe miratimi i këtij ligji nuk zgjidh problemet në arsim, thekson Gërceva.
“Këto janë amendamentet e dhëna deri tani në vazhdimësi. Të fshihen të gjitha, me rend. Do gëzohesha nëse sot do të gjejnë mirësinë edhe deputetët e shumicës që të mbështesin këtë propozim ligj në interes të çlirimit të hapësirës, që njerëzit që dinë ç’është arsimi dhe ata të cilëve u dedikohet, të ndikojnë në aplikimin e modelit për testimin e cilësisë në arsimin tonë. Kjo nuk është në interes të cilësisë në arsim, pasi me këtë nuk do të bëjmë arsim më cilësor”- tha deputetja e pavarur, Sollza Gërceva.
Mirëpo deputetët e shumicës parlamentare u shprehën kundër propozim ligjit dhe ishin të pakënaqur nga arsyetimi i propozim ligjit dhe motivet politike.
“Një ndër arsyet pse nuk do t’i mbështesë këto zgjidhje ligjore është ajo që deri tani nuk ka qenë praktikë që propozimi i cili ka të bëjë me shumë qytetarë në RM, prindër, arsimtarë, rreth 600 mijë qytetarë, diçka që e ndryshon procesin arsimor në mënyrë sistemore, të na propozohet si zgjidhje ligjore pa tre rreshta arsyetim”- u shpreh Dimitar Stevananxhija nga VMRO-DPMNE.
Sipas deputetëve të shumicës parlamentare, testimi ekstern jep mundësi për vlerësim real dhe evitimin e presioneve përmbi arsimtarët gjatë vlerësimit. Veç kësaj, ky model nxit arsimtarët për punë më cilësore, pasi parasheh shpërblime për arsimtarët, thonë nga mazhoranca.
SHPËTIM NUREDINI
