Maqedoni

Mblidhet grupi i punës, arrihet dakordim vetëm për përbërjen e KShZ-së

21.09.2015 18:05

Përbërja dhe rritja e kompetencave të KSHZ-së, mënyra e spastrimit të listës zgjedhore...

Përbërja dhe rritja e kompetencave të KSHZ-së, mënyra e spastrimit të listës zgjedhore, votimi i diasporës dhe eventualisht ndryshimet në modelin zgjedhor janë disa nga temat që sot i diskutoi grupi punues. Deri më tani është arritur pajtueshmëri që Komisioni Shtetëror Zgjedhor të përbëhet nga 9 anëtarë.
 
Tre do të propozohen nga pushteti, 3 nga opozita dhe 3 do të jenë ekspertë me përvojë monitorimi në vende të huaja, e që do të zgjidhen nga Kuvendi me 2/3 e votave të deputetëve.
 
Pushteti dhe opozita shqiptare do të propozojnë nga 1 anëtarë, ndërsa edhe njëri nga 3 ekspertët duhet të jetë shqiptar.
 
LSDM-ja kërkon regjistrimin paraprak të zgjedhësve, por BDI-ja vlerëson se regjistrimi i tillë është i dëmshëm për shqiptarët.
 
BDI dhe PDSh kërkojnë gjithashtu ekuilibrimin e njësive zgjedhore, për shkak të numrit shumë më të madh të votuesve në njësinë e 6-të, në krahasim me njësitë 3 dhe 4. VMRO-DPMNE dhe PDSh kërkojnë që të votohet me shenja gishtash.
 
Marrëveshje nuk ka as për votimin e diasporës, VMRO-DPMNE kërkon që diaspora të zgjedhë 20 deputetë. Kryeministri, Nikolla GRuevski, tha se njësitë zgjedhore 7, 8 dhe 9 të diasporës duhet të bashkohen në një njësi zgjedhore. 
 
“Duam që të mbetet mundësia që diaspora të ketë përfaqësues të tyre në Kuvendin e Maqedonisë. Mendoj se shumë pak është e përfaqësuar dhe dhamë ide  që nëse edhe partitë tjera politike pajtohen të ndërrojmë modelin dhe në vend që të kemi 3 deputetë të diasporës të ketë 20 deputetë. Gjegjësisht, në vend që 3 njësitë aktuale zgjedhore nga një deputet të ketë një njësi zgjedhore, e në të të ketë 20 deputetë dhe siç do të votojë diaspora ashtu të shpërndahen votat që do të jenë në atë njësi speciale zgjedhore”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
 
BDI kërkon që vota e diasporës të llogaritet brenda 6 njësive zgjedhore në Maqedoni, ndërsa të eliminohen 3 njësitë e diasporës.
 
LSDM kërkon që deputetët e diasporës të mbeten, vetëm nëse zgjedhja e tyre bëhet afërsisht me vota të barabarta sikundër për një deputet në Maqedoni.
 
Të gjitha pritjet për marrëveshje mbi një ligj të ri zgjedhor lidhen me gjashtë tetorin, datë  të cilën e përmendi komisioneri, Johannes Hahn, si ditë kur partitë politike duhet të bien dakord. 
 
SANIJE KASAMI