Botë

Presidencialet në SHBA, Scott Walker tërhiqet nga gara

22.09.2015 10:33

Guvernatori i Uiskonsinit, Scott Walker është tërhequr nga gara presidenciale...

Kandidati republikan dështoi të mblidhte të ardhura për fushatën e tij, ndërsa në sondazhe kishte ngecur shumë mbrapa.
 
Walker gjithashtu iu bëri thirrje disa prej kandidatëve të tjerë republikanë që t’i bashkohen e tij, të tërhiqen nga gara, në mënyrë që votuesit të fokusohen vetëm në disa kandidatë, pasi edhe fitorja e republikanëve vitin e ardhshëm do të ishte më e mundshme.
 
Ai gjithashtu ka kërkuar që gjuha ndërmjet kandidatëve republikanë të ndryshojë, duke lënë mënjanë sulmet personale dhe duke u fokusuar vetëm në vizionin e tyre mbi SHBA-të.
 
“Fatkeqësisht debati në Partinë Republikane sot nuk është i përqendruar në pikëpamje optimiste për Amerikën. Në vend të kësaj, ne kemi vetëm sulme personale”, u shpreh Walker.
 
Para se Walker të bënte publik vendimin e tij për tërheqje, Donald Trump, kandidati tjetër republikan, ka shkruar se Walker “është një person shumë i mirë dhe me të ardhme”.
 
Walker bëhet kandidati i dytë republikan që tërhiqet nga gara, pasi para dhjetë ditësh të njëjtën gjë e bëri edhe Guvernatori i Teksasit, Rick Perry.