Maqedoni

Shën Nikollë, polici vret në vetëmbrojtje një qytetar

22.09.2015 12:13

Në qytetin e Shën Nikollës, në afërsi të Stopanska Bankës, mbrëmë është kryer një vrasje nga ana e një polici...

Sipas Prokurorisë Publike, vrasja është bërë në vetëmbrojtje. Policia e Shtipit ka njoftuar se janë duke u hetuar të gjitha aspektet e vrasjes, ndërsa me urdhër të prokurorit publik do të merren incizimet nga kamerat e sigurisë së bankës, për të parë nëse kjo do të jetë në ndihmë të hetuesve që të zbardhin në tërësi tragjedinë.

Prokuroria Themelore Publike ka njoftuar se polici në detyrë ka vërejtur një makinë “Llada”, e cila ka lëvizur me shpejtësi, dhe një biçikletë që ka lëvizur para makinës.

Shoferi i makinës, i nervozuar me çiklistin për arsye se ai ka lëvizur para tij, ka ndaluar makinën dhe ka filluar ta ofendojë atë.

Në ato momente polici është afruar dhe ka tentuar që t’i ndajë personat në mënyrë që të evitojë kontaktin fizik mes tyre.

Vozitësi i makinës në ato momente ka refuzuar urdhrat e policit, ndërsa ka kapur për dore atë dhe e ka tërhequr disa metra.

Nga shpejtësia e tërheqjes polici është rrëzuar. Në ato momente, vozitësi i makinës ka dashur që ta shkelë me makinë policin.

Në tentimin e dytë është penguar nga polici, i cili ka përdorur armë, duke i shkaktuar plagë, nga e cila shoferi ka ndërruar jetë menjëherë.