Botë

Kuvendi i Kosovës, opozita gjuan me vezë kryeministrin Mustafa

22.09.2015 14:01

Deputetët e opozitës në Kosovë kanë gjuajtur me vezë kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, derisa ai në foltore ishte duke raportuar për marrëveshjet me Serbinë...

Mustafa ka filluar të raportojë, por nuk u lejua nga opozita, duke gjuajtur me vezë, pas çka u tensionua situata dhe Mustafa u largua nga salla e kuvendit, ndërsa kryeparlamentari, Kadri Veseli, ndërpreu seancën.
 
Madje, kryeparlamentari Veseli u desh të ndërhyjë edhe për të qetësuar deputetët, duke kërkuar largimin e tyre nga salla kuvendore.
 
Krahas mospajtimit me marrëveshjen me Serbinë, opozita ia bëri të madhe kryeministrit Mustafa edhe për mosraportimin në seancën e kaluar, por Mustafa tha se anulimi i raportimit javën e kaluar u bë pasi që ka dashur të jenë prezent edhe ministrat që kanë qenë pjesë e këtyre marrëveshjeve.
 
Po ashtu, Mustafa tha se kjo pako është në pajtim me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Por, opozita nuk ndan mendimin e njëjtë. 
 
Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një komunikate ka thënë se sot deputetët e opozitës ia ndalën gënjeshtrën Isa Mustafës, përmes së cilës ai synonte që edhe njëherë t'i gënjejë qytetarët dhe deputetët për marrëveshjet e Brukselit.
 
“Isa Mustafa sërish po i trajton deputetët dhe qytetarët si të padijshëm. Veprimet e tij janë tallje dhe shpërfillje e kuvendit, ashtu siç marrëveshjet e Brukselit janë rrënim i republikës”- vlerëson Vetëvendosje.
 
Por, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, veprimin e sotëm të opozitës e quajti jodemokratike dhe ftoi ata që të jenë më konstruktiv dhe të luajnë rolin që i takon opozitës.
 
Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alma Lama, ka thënë se sjelljet e opozitës janë të papranueshme dhe se sipas saj këto lloj sjelljesh nuk e shpëtojnë Kosovën nga asnjë lloj marrëveshje.
 
GYLTENE SINANI