Maqedoni
Ambasadori britanik, Çarls Garet: Maqedonia të përkushtohet në implementimin e ligjeve
22.09.2015 14:48
Maqedonia duhet më tepër të përkushtohet në implementimin e ligjeve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit...

Maqedonia duhet më tepër të përkushtohet në implementimin e ligjeve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, aq më tepër tani kur dëgjohet shumë në kontekst politik për këto vlera bazike shoqërore.
Kështu deklaroi sot ambasadori i Anglisë në vend, Çarls Garet, me rastin e shënimit të 800 vjetorit të themelimit të Kartës së Madhe të Lirive.
“Ky dokument është i rëndësishëm edhe për Maqedoninë, sidomos për kohën e tashme të kontekstit politik, kur bëhet mjaft fjalë për demokracinë, sundimin e ligjit dhe për përgjegjësitë të cilat i bartin qytetarët”- deklaroi ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Çarls Garet.
Ky dokument ka luajtur rol të rëndësishëm në sjelljen e kushtetutave në nivel global dhe ka shërbyer si bazë e mirëfilltë për principet e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Por, zbatueshmëria e disa parimeve me rëndësi për një shoqëri nuk arrin zbatueshmëri të mjaftueshme, përfshirë këtu edhe Maqedoninë, deklaroi me këtë rast ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
“Jo vetëm Maqedonia, por të gjitha shtetet kanë probleme me zbatueshmërinë e ligjeve e parimeve të njohura juridike, të cilat disa prej tyre për fat të mirë kanë qenë të proklamuara në Magna Karta Libertatum. Ministria e Drejtësisë është këtu për të siguruar zbatueshmëri, edhe pse disa herë e kam thënë dhe e potencoj: shumëçka nuk varet nga ministria, por varet edhe nga mentaliteti i atyre që në njëfarë mënyre thonë se “po i zbatojnë” aktet, ligjet, por edhe këto parime. Ne si ministri bëjmë çmos që të sigurojmë mekanizma adekuat që viza-vi edhe këtij mentaliteti që për fat të keq ekziston te disa gjyqtarë, prokurorë apo disa organe tjera”- tha ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
Karta e Madhe e Lirive për shumë vende botërore ndër shekuj ka shërbyer si bazament mbi themelimin e principeve dhe të drejtat e njeriut, mbi shtyllat e sundimit të ligjit dhe të demokracisë në shoqëri të caktuar.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
