Botë

Franca në ndihmë të Gjermanisë do të marrë 31 mijë refugjatë sirianë dhe irakianë

22.09.2015 15:23

Për të lehtësuar Gjermaninë fqinje, Qeveria franceze është treguar e gatshme të marrë refugjatë nga Siria dhe Iraku...

31 mijë të tillë llogaritet të sistemohen përgjatë dy viteve të ardhshme. Por, emigrantët vetë duken se nuk e preferojnë vendin e papunësisë së lartë dhe strehimit të pakët.
 
Përballë Francës, ata do të zgjidhnin pa ngurrim Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Suedinë, shtete të cilat i shohin si më mikpritëse e shumë më të fuqishme ekonomikisht.
 
Qendrat e sistemimit për refugjatët në këtë vend janë të rralla. Emigrantëve shpeshherë iu duhet të presin me javë apo muaj të tërë për një strehë ku të fusin kokën.
 
Atyre që tashmë janë pranuar, por që enden poshtë e lart pa marrë një zgjidhje përfundimtare prej autoriteteve, situatën ia rëndon edhe më shumë perspektiva e të ardhurve nga Siria e Iraku.
 
Imazhi i Francës në sytë e refugjatëve të rinj mbetet sidoqoftë aq i zbehtë sa punonjësit e emigracionit nuk kanë arritur të bindin veçse 600 sirianë dhe irakianë të nisen me autobus nga Mynihu për në Paris. 
 
Njëri prej tyre shpjegon se që të zgjidhnin shkuarjen në Francë, emigrantëve u janë premtuar tre gjëra: lehtësi në pajisjen me dokumente, bashkim familjar dhe një leje qëndrimi 10-vjeçar në këtë vend. 
 
BELINDA KOKA-ADEMI