Maqedoni

MASh, LASh dhe Komuna e Çairit shqyrtojnë kërkesën për paralele shtesë

22.09.2015 15:38

Ka filluar shqyrtimi i kërkesës për hapjen e dy paralele shqipe në Shkollat Fillore “Imri Elezi” dhe “Vasil Gllavinov” në Komunën e Çairit...

Përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, kryetari i Komunës së Çairit dhe drejtorët e shkollave fillore në këtë komunë u ulën në tavolinë të përbashkët për të rishikuar nevojat dhe mundësitë reale për hapjen e dy paraleleve shqipe në këto dy shkolla.
 
“Ngarkesë e klasave me më shumë nxënës është në Shkollën “Imri Elezi”. Aty ka tre klasa, ndërsa nëse ndahen duhet të kenë 34 nxënës, me çka drejtoresha ka aplikuar deri tek MASh-i për financim të ri që të formohet edhe një klasë dhe të shpërndahen në 4 klasa dhe të ketë kushte normale për zhvillimin e mësimit. Dhe shkolla tjetër është “Vasill Gllavinov”, tek e cila në të kaluarën numri i nxënësve shqiptarë ka qenë i ulët, vetëm 5 për qind, e tash është diku 30 për qind, për shkak se më herët, në sektorin e arsimit, të cilin e udhëheq zotëri Dardhishta, prej vitit të kaluar kemi bërë rajonizimin e  arsimit, që do të thotë se fëmijët që gravitojnë rreth shkollave më afër aty të zhvillojnë mësimin dhe kjo ka bërë që në këtë shkollë të rritet numri. Edhe aty ka një paralele e cila e tejkalon numrin 34 të nxënësve”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
 
“Veç më ka filluar procedimi i atyre lëndëve që t’u kthejmë dhe t’u përgjigjemi pozitivisht kërkesave të shkollave për rritjen e numrit të paraleleve, respektivisht për krijimin e paraleleve me numër më të vogël të nxënësve, respektivisht të atyre paralele që kanë qenë 3 paralele me numër mbi 34 ose 35 nxënës, që të bëhet edhe paralelja e katërt”- tha këshilltari në MASh, Safet Neziri.
 
Ndërkohë, Komuna e Çairit është ndër komunat më të dendura, andaj hapja e paraleleve të reja shqipe është nevojë imediate.
 
REXHEP QAMILI