Maqedoni

Sh. F. “Naim Frashri”, rinovohet me ndihmë të EUKOM-it

22.09.2015 15:52

Projekti i USAID-it për integrim ndëretnik në arsim dhe Komuna e Studeniçanit kremtuan përfundimin e rinovimit të çatisë në Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në Studeniçan...

Projekti është financuar nga Komanda Evropiane e Ushtrisë amerikane që ka për qëllim krijimin e kushteve të favorshme për ndjekje të procesit arsimor.
 
“Ky projekt është një fryt i bashkëpunimit mes institucioneve qendrore dhe lokale dhe në bashkëpunim edhe me komunitetin ndërkombëtar, në këtë rast me USAID-in, dhe është vazhdimësi e projekteve të realizuara. MASh do vazhdojë me investime edhe në Komunën e Studeniçanit. Në rrjedhë është furnizimi publik për shkollën në Moranë, ku parashihet instalimi i ngrohjes qendrore dhe ndërtimi i një salle sportive në Studeniçan”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
 
“Kushtet e përmirësuara nga renovimi i Shkollës “Naim Frashëri” janë vetëm një hap fillestar për të vazhduar së bashku me mësimdhënësit , t’i edukojmë nxënësit në frymën e bashkëjetesës në një shoqëri multietnike”- tha kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku. 
 
“Deri më sot, 48 shkolla në Maqedoni janë rinovuar, duke i falënderuar ShBA-të. Ne jemi shumë krenarë për rezultatet që i ka arritur ky projekt, ndërsa se si do të mbarojë ky projekt varet prej të gjithë ju”- u shpreh gjenerali i gardës së Vermontit, Stiven Krej.
 
Ministri Ademi foli edhe për bojkotin e mësimit në shkollën fillore në Nigishtan dhe tha se drejtoria e shkollës duhet të paraqitet me kërkesë deri te MASh-i për angazhimin e mësimdhënësve.
 
Sipas tij, askush nuk guxon të cenojë të drejtën e garantuar me kushtetutë për mësim në gjuhën amtare dhe nëse ky rast nuk tejkalohet ekzistojë mekanizma juridike për zgjidhjen e këtij problemi.
 
FLUTURA LATIFI