Maqedoni

Nisma për themelimin e “Unitetit”, Aliti nuk braktis BDI-në, kërkon reforma në parti

22.09.2015 17:04

Rafis Aliti, ka hedhur poshtë spekulimet se do të braktisë BDI-në për t’iu bashkangjitur nismës për formimin e partisë “Uniteti”...

Ai mbetet në qëndrimin se BDI ka nevojë për reforma të thella dhe jo për përçarje.
 
Madje, Aliti u bën thirrje ish bashkëluftëtarëve të tij, që kanë iniciuar formimin e partisë “Uniteti”, që të kthehen për t’u dhënë shtytje reformave në BDI.  
 
“Unë çdo ditë lexoj spekulime se, krahu i luftës largohet nga BDI. Një ndër emrat që përflitet është edhe emri im, kështu që e them me përgjegjësi se Rafis Aliti ngel në BDI, ngel në kursin politik të reformimit të BDI-së. Mendoj se është interes i vetë BDI-së dhe shqiptarëve në Maqedoni që reforma të vazhdojë në BDI, njëkohësisht nëse dikush ka marrë iniciativë nga bashkëluftëtarët e mi, nga bashkëpartiakët e mi se vendin e ka në BDI, dhe gjithsesi se kontributi i tyre në drejtim të reformave do të ishte shumë i madh”- deklaroi Rafis Aliti nga BDI.
 
Sipas Alitit, BDI nuk ndahet më në krahun e luftës dhe krahun intelektual, por në zyrtarë të suksesshëm dhe zyrtarë të dështuar.
 
“Kushdo qoftë prej nesh, nëse besimi që i është dhënë nga strukturat dhe kryesia e BDI-së nuk e ka arsyetuar me punën e vetë, gjithsesi se duhet të shkojë dhe të lirojë rrugë për kuadro që e kanë treguar veten. Mbi të gjitha, unë e shoh si dëm, jo vetëm si dëm të BDI-së, por edhe të shqiptarëve në Maqedoni, për shkak se copëtimi i elektoratit nuk është në interes të shqiptarëve në Maqedoni”- tha Aliti.
 
Një ditë më parë, deputeti, Zulfi Adili, i njohur si komandant “Qufa”, konfirmoi nismën për formimin e partisë së re “Uniteti”. Spekulohet se kësaj nisme do t’i prijë gjenerali i ish UÇK-së, Gëzim Ostreni.
 
SHPËTIM NUREDINI