Futboll
Shqipëri-Serbi, FSHF i jep policisë listën e tifozëve
22.09.2015 17:10
Federata Shqiptare e Futbollit vendos në dispozicion të Policisë së Shtetit listën me emrat e të gjithë tifozëve që kanë blerë biletë...

Rreth 3 javë para ndeshjes së tensionuar mes Shqipërisë dhe Serbisë, drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako zhvilloi një takim me Presidentin e FSHF-së, Armando Duka.
Veprimi është ndërmarrë me bashkëpunimin e dy institucioneve, me qëllim që policia të kryejë verifikimet e nevojshme për mbarëvajtjen e ndeshjes në “Elabsan Arena”, më 8 tetor.
Duka dhe Çako diskutuan një orë për marrjen e masave të përbashkëta, për zhvillimin normal të ndeshjes. Ata biseduan gjithashtu edhe për garantimin e rendit e sigurisë në çdo hap, që nga mbërritja e lojtarëve, tifozëve, si dhe të miqve nga Serbia.
Çako garantoi presidentin e FSHF-së, se Policia e Shtetit do të marrë të gjitha masat duke angazhuar të gjitha kapacitetet më të mira të saj, qoftë në burime njerëzore, ashtu edhe në logjistikë.
“Masat janë të shumëllojshme, nga toka dhe nga ajri, por garantoj se masat e policisë nuk kanë për qëllim të dëmtojnë apo të frenojnë tifozët, por kanë për qëllim vetëm të garantojnë mbarëvajtjen e kësaj ndeshje, duke i ardhur në ndihmë skuadrës sonë kombëtare”, është shprehur Çako.
Në takim u vendos që një grup nga Polica e Shtetit dhe një grup nga Federata Shqiptare e Futbollit të bëjnë sigurimin e stadiumit dhe të ambienteve përreth, duke përcaktuar në vend edhe masat konkrete për gjithë pikat e paraqitura në planin e masave.
