Maqedoni
Maksuti: KShZ-në duhet ta përbëjnë vetëm ekspertë
22.09.2015 17:29
Sipas afateve të parapara me Marrëveshjen e 2 qershorit, përbërja e Komisionit Shtetëror Zgjedhor duhej të shqyrtohet dhe modifikohet deri më 31 qershor...

Sipas afateve të parapara me Marrëveshjen e 2 qershorit, përbërja e Komisionit Shtetëror Zgjedhor duhej të shqyrtohet dhe modifikohet deri më 31 qershor, afat i cili u lëshua edhe pse deri më 30 shtator KShZ-së duhet t’i shtohen kompetencat që të sigurojë zgjedhje të lira dhe demokratike.
Nuk ka asgjë konkrete nga grupi punues, ata vetëm dëgjojnë rekomandime dhe mendime ekspertësh për krijimin e listës zgjedhore dhe modelit zgjedhor.
Ata vetëm janë dakorduar që Komisioni Shtetëror Zgjedhor të përbëhet nga 9 anëtarë, 3 të propozohen nga pushteti, 3 nga opozita dhe 3 të jenë ekspertë.
Sipas profesorit universitar, Mersim Maksuti, efikasitetin e sistemit zgjedhor dhe efikasitetin e përgjithshëm të sistemeve zgjedhore mund ta sigurojnë vetëm ekspertë, njerëz që me të vërtetë e dinë punën e tyre në një nivel të lartë profesional, pa pasur nevojë për persona partiak.
“Unë do të propozoja që KShZ-ja në zgjedhjet e ardhshme të jetë komision i cili do të përbëhet prej njerëzve, të përbëhet nga njerëz që do të jenë apolitik, neutral dhe vetëm të përbërë nga ekspertë që do të organizojnë vërtet një proces transparent, të rregullt dhe të drejt në Maqedoni. Pse pikërisht ekspertët, sepse pas 1 Janarit ne do të kemi qeveri kalimtare, faktori kryesor pse do të kemi qeveri kalimtare është për të pasur zgjedhje të lira demokratike”- deklaroi profesori universitar, Mersim Maksuti.
Sa i përket idesë për regjistrimin paraprak të zgjedhësve, Maksuti thotë se kjo do të ishte në dëm të shqiptarëve, pasi që te shumë votues nuk i kemi aktualisht në vend dhe ata do të humbnin të drejtën e tyre për të votuar.
“Te ne dihet fakti se shumë qytetarë votues shqiptarë nuk i kemi aktualisht në vend, janë me punë të përkohshme jashtë RM-së, dhe si rezultat i saj shumë shqiptarë do të humbnin të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. Kjo përbën një shkelje të kushtetutës”- tha Maksuti.
Sot vazhdojnë bisedimet edhe për formimin e Komisionit Anketues rreth përgjimeve.
Nga partitë nuk ka pajtueshmëri se a do të dëgjohet përmbajta e të ashtuquajturve “bomba” dhe a do të kërkohen deklarata nga funksionarët e përgjuar.
Opozita insiston që të përcaktohet përgjegjësi politike, ndërsa pushteti ia lë përgjegjësinë prokurores speciale. Sipas marrëveshjes politike, ky komision deri në nëntor duhet të ketë gati raportin e parë.
SANIJE KASAMI
