Botë

Prishtinë, policia parandalon një sulm të mundshëm ndaj kryeministrit Mustafa

23.09.2015 12:42

Policia e Kosovës ka parandaluar një sulm ndaj eskortës së kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa...

"Njësia policore e Mbrojtjes së Afërt ka vërejtur dy persona të cilët kanë tentuar të ndalojnë (sulmojnë) eskortën e kryeministrit, e cila ka qenë në lëvizje"- thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Njësitë policore kanë intervenuar menjëherë dhe kanë parandaluar veprimin e personave të dyshuar, të cilët gjatë ikjes kanë lënë prapa tri qese të letrës. Brenda tyre thuhet të jenë gjetur mjete të forta, copëza metali, të cilat shërbejnë për shpuarjen e gomave, si dhe një telefon celular.

Ky sulm i mundshëm ndaj veturës së kryeministrit ndodhë një ditë pasi që Mustafa ishte sulmuar me vezë në foltoren e Kuvendit të Kosovës nga deputetë të opozitës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes me Beogradin për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, eskorta e kryeministrit Mustafa është sulmuar në disa raste me vezë nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje. Por, për ngjarjen e sotme, deri më tani nuk ka reaguar asnjë nga subjektet politike.