Futboll

Marsiani Levandovski, 5 gola në 9 minuta

23.09.2015 14:09

Në Gjermani ka vetëm një fjalë për të përshkruar mbrëmjen e përjetuar nga Robert Levandovski...

“HisTORisch”, pra “historike” (loja e fjalëve lidhet me “tor” që do të thotë gol në gjermanisht).
 
Në javën e gjashtë të Bundesligës, me Bajernin në disavantazh të një goli, sulmuesi polak u fut në lojë si zëvendësues në minutën e 46-të.
 
Ndërsa në të 60-n rezultati ishte 5-1 për bavarezët, të cilët nëpërmjet një pesëgolëshi të Robertit e shkatërruan në çdo aspekt Volfsburgun.
 
Falë këtij rezultati Bajerni qëndron në krye me pikë të plota… edhe pse një natë të gjithë do të flasin për bomberin nga Varshava.
 
Nuk nevojiten shumë lojëra, Levandovski prej mbrëmjes së djeshme është legjendë.
 
Askush më parë në historinë e Bundesligës nuk kishte bërë tris brenda aq pak kohe. Rekordin që theu Leva i përkiste Mikael Tënies, i cili në 1991 shënoi 3 gola me Duisburgun përballë Karlsruhes për 98 sekonda.
 
Ndërsa Robertit për të shënuar tre golat e parë iu deshën vetëm 3.22 minuta (51, 52, 55). Është e kotë për të thënë se po në këtë takim polaku shënoi “pokerin” dhe pesëgolëshin më të shpejtë të historisë së Bundesligës. Dhe të mendosh se në sezonin e parë te Dortmundi mori nofkën “Chancenmörder” (“vrasësi i shanseve”, pasi përballë portës nuk ishte i ftohtë).
 
Në finalen e Kupës së Amerikës (në 2011), kur sulmuesi kryesor i Borusias, Lukas Barrios, u dëmtua, në Ruhr nisën t’i kërkonin përforcime për sulmin Jurgen Klopit.
 
Mbështetësit e Borusias u shqetësuan, pasi e dinin se do të luante titullar Robert Levandovski.
 
Në atë kohë, trajneri i Borusias këmbënguli dhe vendosi t’i besonte gjithçka Levës, i cili në 2013 ia shpërbleu besimin e dhënë duke i shënuar një “poker” Realit të Madridit në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve.