Botë

Sërish sulm ndaj Isa Mustafës, dje me vezë sot tentim për t’ia shpuar gomat e veturës

23.09.2015 15:33

Policia e Kosovës ka parandaluar një tjetër sulm ndaj kryeministrit, Isa Mustafa...

Sipas zyrës për informim të Policisë së Kosovës, njësitet policore kanë vërejtur dy persona të dyshuar, të cilët kanë tentuar ta sulmojnë eskortën e kryeministrit, e cila ka qenë në lëvizje.
 
Njësitë policore kanë intervenuar menjëherë dhe kanë parandaluar veprimin e personave të dyshuar, të cilët gjatë ikjes kanë lënë prapa tri qese letre në të cilat ka pasur mjete të forta, copëza metali të cilat shërbejnë për shpuarjen e gomave, si dhe një telefon celular.
 
“Sa i përket lëvizjes së eskortës së kryeministrit nuk ka pasur asnjë incident dhe e njëjta ka vazhduar lëvizjen pa probleme, ndërsa lidhur me rastin janë duke u kryer të gjitha veprimet e nevojshme policore”- kanë thënë në Policinë e Kosovës.
 
Tentimi i radhës për të sulmuar eskortën e kryeministrit Mustafa vjen pas sulmit të së martës me vezë ndaj tij në foltoren e Kuvendit të Kosovës nga deputetët e opozitës.
 
Por, megjithëse hodhi publikisht vezë kundër Mustafës, Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar të jetë organizatore e sulmit të fundit. Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, ka deklaruar se “Lëvizja Vetëvendosje nuk ka organizuar një aksion të tillë edhe pse përkrah çdo veprim demokratik që bëhet kundër kësaj qeverie”. 
 
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një njoftimi dënon ashpër tentimin e sotëm për të sulmuar dhe rrezikuar jetën e kryeministrit të Kosovës nga njerëz që nuk ia duan të mirën vendit, që janë kundër demokracisë dhe prosperitetit, si dhe që po tentojnë që pa zgjedhur mjete ta pengojnë Kosovën në rrugën e saj evropiane.
 
LDK po ashtu e konsideron tepër të rrezikshme thirrjen e opozitës për të penguar funksionimin e shtetit të Kosovës dhe kërkon që ajo të heqë dorë dhe të distancohet nga aktet e dhunës dhe nga veprimet që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve.
 
GYTENE SINANI