Botë

Stamboll, fëmijët sirianë eksploatohen në fabrikat e tekstilit

23.09.2015 15:54

Bashkimi Evropian miratoi planin e sistemimit të 120 mijë emigrantëve në Evropë edhe pse kishte rezistencë nga disa vende anëtare...

Bëhet fjalë vetëm për numrin e atyre që u larguan nga lufta dhe varfëria e madhe në Siri.
 
Por, ky lajm nuk i ka gëzuar të gjithë. Ankthi i luftës civile në Siri ka detyruar miliona njerëz të braktisin shtëpitë e tyre, duke përfshirë edhe dy milion të tjerë të cilët kaluan kufirin për në Turqi.
 
Varfëria ka detyruar shumë familje siriane të dërgojnë fëmijët e tyre të punojnë, duke i shndërruar ata në mbajtës të familjes.
 
 Shumë punëtori të Stambollit shfrytëzojnë refugjatët sirianë për punë. Një nga ata është Husein Omar, i cili u larua nga Siria vitin e kaluar pas  granatimit të lagjes së tij. Ai është vetëm  dhjetë vjeç.
 
“Punoj 12 orë në ditë, gjashtë ditë në javë. Nuk di të shkruaj dhe lexoj, kam bërë vetëm një vit shkollë para se të fillonte lufta”- deklaroi Husein Omar.
 
Përderisa lufta në Siri vazhdon të jetë e ashpër, shpresat e Huseinit për t’u edukuar zbehen, sepse të ardhurat javore prej 25 dollarëve atij i ndihmojnë të sigurojë vetëm kafshatën e gojës për familjen 9 anëtarëshe.
 
Filmimet e fshehta në vendin e punës së tij dëshmojnë orarin e gjatë dhe punën e rëndë për një shumë të vogël parash dhe një të ardhme të errët, si shumë djem dhe vajza të tjera të cilat i ikën luftës.
 
E derisa Huseini nuk është shumë i lumtur që ka ngecur në Turqi, refugjatë të tjerë, me mijëra, i drejtohen Evropës. 
 
3 mijë hyjnë çdo ditë në Greqi. Ishulli Lesbos është në gjendje kaotike. Greqia ka hallet e saj dhe autoritetet e hekurudhës në Lesbos nuk punuan dje.
 
Mbi 500 refugjatëve iu desh të presin 5 orë në radhë për një biletë treni. Pritja nuk ishte e lehtë, pasi Lesbosi u përfshi nga një stuhi e fuqishme. Nuk e kanë më lehtë as ata që i drejtohen Evropës përmes detit.
 
Roja bregdetare italiane shpëtoi mbrëmë një anije me 340 emigrantë të cilët po rrezikonin të mbyteshin pak kilometra larg brigjeve libiane teksa po udhëtonin me një anije peshkimi.
 
Austria përballet me një numër enorm refugjatësh. Vetëm gjatë fundjavës në Austri kanë hyrë mbi 20 mijë refugjatë dhe policia ka mbyllur autostradën që lidh këtë zonë me Vjenën për arsye sigurie.
 
Megjithatë, kjo nuk i pengon klandestinët të arrijnë destinacionin e tyre duke ecur në këmbë.
 
LEUNORA KALIQI