Maqedoni
Projektet me Shqipërinë dhe Kosovën, Shabani: Shfrytëzojmë 80% të mjeteve
23.09.2015 16:22
Me nënshkrimin e Marrëveshjes kornizë me komisionin e BE-së për realizimin e ndihmës financiare të BE-së për Maqedoninë...

Me nënshkrimin e Marrëveshjes kornizë me komisionin e BE-së për realizimin e ndihmës financiare të BE-së për Maqedoninë, për periudhën 2014-2020, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale do të jetë përgjegjëse për realizimin e 5 programeve për bashkëpunim ndërkufitar, me vlerë të përgjithshme prej rreth 100 milionë eurosh.
Nga këto projekte 42 milion euro janë ndarë për projektet e përbashkëta Maqedoni–Greqi, 12 milion për bashkëpunimin Shqipëri-Maqedoni, 8 milion për Maqedoni-Kosovë, 20 milion Maqedoni-Bullgari, si dhe 35 milion euro për bashkëpunimin transnacional.
I pyetur se pse shuma e projekteve me Shqipërinë dhe Kosovën është më e vogël në krahasim me Greqinë dhe Bullgarinë, ministri Shabani dha këtë përgjigje:
“Fakti që kemi numër pak më të vogël të projekteve të realizuara në bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë është se programi me Kosovën ka filluar shumë më vonë. Atëherë janë pjek kushtet për të filluar ky program se sa me Republikën e Greqisë dhe Bullgarisë. Megjithatë, unë si ministër i Vetëqeverisjes Lokale, ne si strukturë operative haptazi i kemi thënë disa herë numrat e projekteve konkrete të cilat i kemi realizuar edhe në bashkëpunim me Kosovën edhe në bashkëpunim me Shqipërinë. Vlerat, parametrat janë të larta, kalojnë 80% e shumës që na është dhënë për shfrytëzim”- deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Lirim Shabani.
Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, në kuadër të programit për bashkëpunim ndërkufitar mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, sot shpalli edhe thirrjen e parë publike për dorëzim të projekt-propozimeve për të gjithë aplikuesit potencial.
Për këtë thirrje janë rezervuar 7.240.469 euro, ndërsa mjetet u dedikohen projekteve që do të fokusohen për mbrojtjen e ambientit jetësor, zhvillimit të turizmit, rritjes së konkurrencës dhe zhvillimit të ambientit të biznesit.
ERSAN PAJAZITI
