Maqedoni

BFI, mesazhi i Bajramit të Kurbanit, Rexhepi: Ndihmoni të varfrit dhe jetimët

23.09.2015 16:48

Besimtarët islam nesër festojnë festën e Bajramit të Kurbanit, Kurban Bajrami siç njihet në popull, festa e dytë më e madhe myslimane pas Bajramit të Fitrave...

Nesër kurorëzohet Haxhi, kushti i pestë i islamit, por mesazhi më i madh i festës është padyshim sakrifica në emër të perëndisë.
 
Në prag të kësaj feste të madhe vjen edhe mesazhi përshëndetës i kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepit, i cili porosit besimtarët se akti i therjes së kurbaneve është në fakt akt madhërimi ndaj krijuesit dhe tregon se besimtarët ndjekin udhëzimet e tij për të qenë në udhë të drejtë, të dashur e bujarë.
 
“Falënderimet i takojnë Allahut të gjithëpushtetshëm, i cili na mundësoi që ta presim edhe këtë Bajram, festë kjo që është përplot me mëshirë, dashuri, humanizëm dhe respekt njerëzor. Ky sublimim ndjenjash të bukura manifestohet përmes prerjes së kurbanit nga ata që kanë mundësi dhe përmes shpërndarjes për ata që janë në nevojë, kështu u veprua që nga koha e Ibrahimit a.s., duke u dëshmuar përkushtimi, devotshmëria dhe besimi i paluhatshëm i besimtarit mysliman”- u shpreh kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi, duke shtuar se “përmes aktit të sakrificës, konkretisht prerjes së kurbanit, do të bëni që festën e Kurban Bajramit ta gëzojnë edhe jetimët, të varfrit dhe njerëzit në nevojë. 
 
Urojani njëri-tjetrit këtë festë duke e zgjatur dorën, duke e hapur zemrën dhe përqafuar, sepse vetëm kështu i shtohet kuptimi kësaj feste të shenjtë”- deklaroi kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
 
Ai më tej tha se përmes therjes së kurbanit besimtari mysliman madhëron Zotin për të qenë kështu në rrugë të drejtë, për të qenë i mëshirshëm, të dashur dhe bujar.
 
Ai në fund u dëshiroi haxhinjve pranimin e të gjitha lutjeve dhe riteve që i kryejnë në vendet e shenjta, ndërsa, siç u shpreh, “lutjet e tyre le të bëhen dritë për mbarë popullin mysliman gjithandej botës”.