Maqedoni
Kurban Bajrami, “Legis” me 1000 pako për refugjatët
23.09.2015 17:21
Shoqata joqeveritare “Legis”, për çdo ditë bën grumbullimin e ndihmave për refugjatët që transitojnë në Maqedoni...

Shoqata joqeveritare “Legis”, për çdo ditë bën grumbullimin e ndihmave për refugjatët që transitojnë në Maqedoni, ndërsa ditëve të fundit ka siguruar pako për fëmijë për t’i gëzuar ata në prag të festës së Kurban Bajramit.
“Çdo ditë këtu paketojmë rreth 1 000 pako me ushqim, të cilat i dërgojmë në Gjevgjeli. Sot për shkak të ditës së nesërme të Kurban Bajramit kemi paketuar pako të veçanta për fëmijë me ëmbëlsira dhe lodra, diçka që ata do t’i gëzojë dhe së paku të harrojnë për një çast këtë gjendje në të cilën ndodhen”- deklaroi vullnetarja në Shoqatën joqeveritare “Legis”, Sabina Ismailoviq.
Në lidhje me krizën e refugjatëve është biseduar edhe në takimin mes ministrave të jashtëm të Maqedonisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Mbyllja e kufijve nuk është zgjidhje e krizës së refugjatëve, vlerësuan ministrat, Popovski dhe Crnadrak, të cilët kërkuan të intervenohet në vendet e krizës.
“Në afat më të gjatë, zgjidhja e vetme për këtë është veprimi në burimin e krizës dhe unë mendoj se disa prej mesazheve të dërguara të çojnë në këtë drejtim. Ka një vetëdije në Evropë se nëse nuk veprojmë aty ku e ka burimin kriza, problemi nuk mund të zgjidhet dot nga asnjëri prej nesh individualisht”- tha ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Popovski.
Autoritetet presin ndihmë nga Bashkimi Evropian, sepse për ballafaqimin me krizën shteti shpenzon miliona euro, tha ministri Popvski me këtë rast, por BE javën që shkoi ndau edhe më shumë mjete për Maqedoninë për përballje me krizën e refugjatëve dhe kuvendi zgjati deri në qershor gjendjen e krizës në Maqedoni.
BESIM ABDULLAI
