Maqedoni
Festa e Kurban Bajramit, uron edhe politika
23.09.2015 17:55
Me rastin e festës së Kurban Bajramit, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka uruar besimtarët islam, duke iu dëshiruar mbarësi dhe shëndet në familje...

“Me këtë rast i kujtojmë të përulur, me nderim, mirënjohje dhe respekt të gjithë dëshmorët, invalidët e luftës dhe familjet e atyre që luftuan dhe dhanë jetën për liri dhe barazi. Le të bashkohemi në respektin ndaj vlerave universale të paqes, tolerancës, dhembshmërisë dhe bujarisë ndaj njëri-tjetrit, vlera këto që janë në zemër të Islamit dhe të njerëzimit”- thuhet në telegram-urimin e liderit të BDI-së, Ali Ahmetit.
Edhe kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, me rastin e festës së Kurban Bajramit uron të gjithë besimtarët islam, duke ju dëshiruar shëndet, lumturi dhe mbarësi.
“Uroj që të vazhdojmë të kultivojmë vlerat tona fetare dhe kombëtare, duke punuar për të ardhmen e familjeve tona dhe kombit tonë”- thuhet në urimin e kryetarit të PDSh-së, Menduh Thaçit.
Edhe kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov, ua uroi festën e Kurban Bajramit kryetarit të BFI-së, Sulejman Rexhepit, dhe të gjithë besimtarëve të fesë islame.
“Festat na mësojmë që të mos i harrojmë vlerat njerëzore dhe të kemi mirëkuptim. Kështu na mëson edhe tradita shekullore, sepse duke ndihmuar njëri-tjetrin përforcojmë bashkëjetesën dhe respektin mes qytetarëve të Maqedonisë”- ka theksuar Ivanov.
Festën e Kurban Bajramit besimtarëve ua uroi edhe kryetari i kuvendit, Trajko Veljanovski. Urime dërguan edhe partitë tjera politike, krerët e komunave, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe komisioni për marrëdhënie fetare.
“Një urim edhe nga UShT. Kurban Bajrami le të na shërbejë për fisnikërimin e shpirtit, rritjen e besimit në vlerat sublime, shprehjen e solidaritetit e humanizmit ndaj njëri-tjetrit, kultivimin e tolerancës dhe mirëkuptimit, si dhe vlerave të tjera universale të qytetërimit”- thuhet në mesazhin e rektorit të UShT-së, Vullnet Ahmetit.
FLUTURA LATIFI
