Maqedoni

“Tingujt e Çarshisë”, aktivitete ditë e natë në Çarshinë e Vjetër

23.09.2015 18:19

Vazhduan edhe sot aktivitetet kulturore në kuadër të manifestimit “Tinguj e Çarshisë”...

Kërcime, lexime poezish, piktorë të shpërndarë gjithandej në kalldrëmin e Çarshisë dhe kostume shumëngjyrëshe popullore begatuan sot manifestimin. 
 
“Është paraparë të kemi pikturimin jashtë për ta begatuar manifestimin  e përjetshëm tashmë të Çarshisë së Shkupit, kështu që japim edhe ne kontributin tonë”- tha profesori në Fakultetin e Arteve-UShT, Nehat Beqiri.
 
“Organizuam bashkë me fakultetin, me profesorët erdhëm të tregojmë atë që ne e ndjejmë brenda nëpërmjet pikturave”- tha një studente.
 
Këtë aktivitet e begatoi edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Emin Duraku”, që vallëzoi e defiloi rrugëve të Çarshisë.
 
“Si çdo vit, me ‘Tingujt e Çarshisë’ zgjohet Çarshia, me një fjalë me atë theksin e kulturës, traditës mbi të gjitha, kështu që edhe Ansambli ‘Emin Duraku’ është gjithherë përkrahës i këtij aktiviteti, këtij manifestimi ‘Tingujt e Çarshisë’”- u shpreh kryetari i Ansamblit “Emin Duraku”, Fadil Zeneli.
 
Manifestimi “Tingujt e Çarshisë” përmbyllet me “Sofrën shqiptare”, një event që transmetohet siç do vit drejtpërdrejt në TVM2. 
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI